BallinaKulturëPromovohet revista e parë në Kosovë për edukimin mbi median dhe informacionin

Promovohet revista e parë në Kosovë për edukimin mbi median dhe informacionin

Revista “Intro” është projekt i realizuar nga studentëve të vitit të tretë të Departamentit të Gazetarisë në UP

Në Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Prishtinës, është promovuar revista “Intro”, projekt i realizuar nga studentëve të vitit të tretë, në kuadër të lëndës “Menaxhim i medias”.

Shefi i Departmentit prof.asoc. Milazim Krasniqi pasi që i ka përgëzuar studentët për punën e tyre ka thënë se ky është njëri nga sukseset e shumta të departamentit. “Ky është njëri nga sukseset e radhës të departamentit tonë, është një prej departamenteve me dinamike, dhe kjo falë një stafi profesionist. Kemi një sukses të kësaj reviste simpatike dhe shumë profesionale, besoj që gjatë punës e keni shijuar që është profesioni më i bukur në botë”, ka thënë Krasniqi.

Profesori i lëndës, njëherit udhëheqësi i projektit prof.ass. Arben Fetoshi, duke falendëruar të gjithë studentët e angazhuar në revistë ka thënë se është bërë një punë mirë nga ana e tyre. “studentët kanë treguar dashuri dhe pasion për gazetarinë e mirë”, ka theksuar Fetoshi, duke e falënderuar Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP), për mbështetjen financiare në realizimin e këtij projekti.

Ndërkaq, njëra nga studentet redaktore në revistë Verona Selimi tregoi se çfarë është punuar në këtë revistë dhe si është punuar.”Intro sepse kjo është një hyrje se çka munden të bëjnë qytetarët dhe mediat për qytetarët. Ne me artikujt tonë tregojmë që mediat nuk duhet të shihen si armile por tregojmë mënyre se si të shihen ato mike. 30 persona kanë punuar në ketë revistë dhe 27 kanë qenë vajza. ‘Intro’ është produkt i yni i studentëve të gazetarisë”, është shprehur Selimi.
Para pak ditëve në Departamentin e Gazetarisë është lansuar “RadioUP”, e cila do të jetë në shërbim të punës praktike të studentëve dhe në shërbim të informimit të publikut.