Pas vendimit që KQZ ka marrë për rinumërim të votave të kandidatëve për deputetë, kanë dal shumë parregullësi dhe disa kandidatëve iu është ndryshuar apo rritur numri i votave të marra.
Komuna e Prizrenit, është ndër Komunat ku janë hasur më së shumti ndryshime në vota pas rinumërimit.
Në lidhje me këtë, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu ka thënë se ka lëshuar autorizim për Policinë që të identifikojnë personat përgjegjës.
“Si institucion i Prokurorit të Shtetit, kemi monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore. Tani që rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit. Në këtë drejtim, sot, në cilësinë e kryeprokurorit me vetiniciativë kam lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që t’i identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet”, tha ai për gazeta Express.
Kryeziu tha se personat që kanë falsifikuar rezultatet e votave të deputetëve përmes vendosjes së nënshkrimeve të tyre do të mbajnë përgjegjësi.
“Çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe duke ndryshuar vullnetin e qytetarit, nuk duhet të qëndrojë i qetë, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale. Manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis”, tha kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren.