back to top
Friday, March 13, 2026
BallinaLajmeProkuroria kërkon paraburgim për pesë persona në Malishevë, dyshohen për organizim të...

Prokuroria kërkon paraburgim për pesë persona në Malishevë, dyshohen për organizim të bixhozit të paligjshëm

Të ngjajshme

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj pesë personave të dyshuar për organizimin e bixhozit të paligjshëm.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit me inicialet E.B., A.B., N.H., J.M. dhe Z.P. janë nën hetim për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

Prokuroria ka bërë të ditur se ka paraqitur kërkesë për paraburgim në Gjykata Themelore në Gjakovë – Dega në Malishevë.

Sipas dyshimeve, nga një periudhë e papërcaktuar deri më 12 mars 2026, rreth orës 21:00, në një lokal afarist në Malishevë, i pandehuri E.B., në cilësinë e pronarit të lojërave, në bashkëkryerje me katër të dyshuarit e tjerë, kanë organizuar dhe zhvilluar lojëra të fatit të ndaluara me ligj, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore.

Prokuroria thotë se gjatë aksionit policor, pas urdhrit për kontroll të lokalit, të dyshuarit kanë tentuar të arratisen duke kërcyer nga një dritare e objektit, por janë ndaluar nga zyrtarët policorë.

Gjatë kontrollit në lokal janë gjetur pesë aparate të lojërave të fatit në funksion. Në njërin prej aparateve janë gjetur 20 euro, në një tjetër 150 euro dhe në një tjetër 70 euro. Po ashtu, në çantën e pronarit të dyshuar janë gjetur edhe 2 mijë euro, të cilat janë sekuestruar nga policia.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime të dyshuarit në bashkëkryerje dyshohet se kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, sipas Kodit Penal të Kosovës.

Të dyshuarit ndodhen nën masën e ndalimit për 48 orë që nga 12 marsi, me vendim të prokurorit të shtetit./lajmi.net/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz