Ditë më parë është përkujtuar Masakra e Rezallës, ku 20 vite më parë nga ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth.
Profesori nga Skenderaj, Nezir Bejta, në profilin e tij në Facebook, ka treguar një ngjarje rrënëqethëse nga Masakra e Rezallës.
DrenicaPress e sjell të plotë postimin e profesor Nezir Bejtës:
Njerëz me dy varre
Janë të papërballueshme dhimbjet dhe ofshamat e Fatmir Zabelit, i cili në Masakrën e Rezallës e ka të vrarë babain, Xhafer Zabeli, malli për të cilin veç sa po i shtohet.
Këtu u masakruan pleq, gra e fëmijë- thotë Fatmiri duke e treguar vendin, ku njëzet vjet më parë kriminelët serbë vranë 98 bashkëfshatarë të tij. Tri herë e zhvarrosa babain, tri vdekje i përjetova! Tmerr! Si s’më doli zemra nga vendi – tregon Fatmiri, fjalët e të cilit mezi i dilnin nga goja. Këtu i vranë të gjithë! 98, por tre shpëtuan, shpëtuan për të treguar llahtarinë e asaj dite. Këtu edhe i varrosëm fillimisht, të gjithë bashkë, sepse bashkë vdiqën, në krahët e njëri – tjetrit! Këtu ishte vendi i tyre. Po nuk e di pse i ndanë! As tash nuk po e kuptoj pse babai im ka dy varre!? Dy, dy emra në dy varre – flet i mllefosur dhe sikur donte të shpërthente në vaj. Një varr e ka tek shkolla dhe një këtu! Keni parë ju njeri me dy varre!? Këtu ku u vranë kanë mbetur pak varre, të tjerët i rivarrosen te shkolla, atje poshtë, ku edhe e bënë Kompleksin. I bukur shumë! Mos e leni pa e parë – na këshillonte ai. E ka rregulluar komuna me tender, por këto varret këtu kanë mbetur keq. Pa përkujdesje. Ka filluar të dëmtohet edhe pllaka përkujtimore, me emrat e të rënëve. Janë thyer edhe disa pllaka! Ja këqyrni! Me paratë tona e kemi ndërtuar. Komuna sikur u hidhërua me ne. Sikur t’i rregullonte sadopak edhe këto, do të ishte mirë. Do t’na e lehtësonte dhimbjen – fliste Fatmiri, shikimi i të cilit ishte ngulitur thellë mbi emrin e babait të tij.
-E rëndë biro, e rëndë, por bëhu i fortë, burrë drenice je ti- u dëgjua zëri i një të moshuari që me vëmendje po e dëgjonte rrëfimin e Fatmirit. Po si bre me i nda dëshmorët, këtë s’e kisha besuar kurrë- murmuriste plaku tërë mllef. Keq! Keq! Të paktën t’i kishin rregulluar edhe këto! S’lihen kështu dëshmorët, dhe me duar po i fshinte lotët.
-Po ti mor bir, kë ke humbur që dukesh aq i mërzitur- iu drejtua Hazirit, i cili sot ishte bashkë me ne. I Ilir Asllanit jam. Nuk e njeh, ka qene ushtar. E vranë në pritë – iu përgjigj Haziri. Po Iliri s’paska vdekur bre, gjallë qenka! Unë Mujës tim veç emrin po ia përtëri, foli me zë të mekur, duke e shikuar me dashuri Hazirin. Eh, Hazir, Hazir, qenke bërë burrë! Ilir Asllani u vra bashkë me Mujën! Unë jam babai i Mujë Krasniqit, Halil Krasniqi – tha me zë të ulët. Mos derdhni lotë, se liria i ka rrënjët në gjak! Do të kaloj edhe kjo e keqe. Pushtetarët tanë na harruan, janë dhënë pas parasë dhe pushtetit. Keq që i kanë lënë kështu varrezat, por as kulla e Mujës s’është në gjendje më të mirë! Ejani tek unë, dhe do ta shihni se në çfarë gjendje është ajo! Po shembet! Kam hyrë në kredi për t’ia ndërruar tjegullat dhe çatinë, s’po përkujdeset askush për të, fliste si me inat, plaku Halil Krasniqi, më të cilin biseduam edhe shumë gjatë.
Përderisa ne po ktheheshim nga varrezat e harruara, poshtë te shkolla, në Kompleksin Memorial, gumëzhinin njerëz të shumtë, që kishin ardhur për t’i vizituar më të dashurit e tyre. Delegatë, ministra, z. ministra, kryetarë, por asnjërit prej tyre s’i ra ndërmend se vetëm disa qindra metra më lartë, janë edhe disa varreza që meritojnë një respekt më të madh.
Nezir Bejta