Lutfi Haziri e ka zbuluar qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për takimin e nesërm me presidentes Vjosa Osmani, pak para se ftesa e shefes së shtetit për përfaqësuesit politik të subjekteve politike parlamentare të bëhej publike të enjten.
Haziri, në një deklarim për Euronews mengjesin e sotëm, tha se LDK-ja do t’i kërkojë presidentes shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Deklarata e Hazirit u bë rreth një orë para se Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Osmani, të konfirmonte ftesën për takim të liderëve politikë për të premten.
“Do t’i kërkojmë t’i shpall zgjedhjet, zonja Osmani nuk ka rol tjetër”, tha Haziri në Euronews Albania të enjten.
Haziri, po ashtu tha se zhvillimi më pozitiv do të ishte caktimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në pranverën e hershme.
“Fryma kushtetuese në Kosovë është e tillë që detyron bashkëpunim dhe ne kemi praktika, e kemi të sanksionuar 40 ditë nga dita që Kuvendi i Republikës dështon, presidentja duhet të ftojë partitë politike dhe vetëm të përcaktojë formalisht datën e zgjedhjeve”, tha ai.
“E mira do të ishte që këto zgjedhje të shtyhen deri në pranverën e hershme. Natyrisht, të gjendet një modalitet që këto zgjedhje të shkojnë deri në pranverën e hershme sepse Kosova duhet t’i mbyll çështjen e zgjedhjeve lokale dhe çështjet e buxhetit për shkak se në këtë formë Kosova po shkon drejt një kolladimi total politik”.
Haziri tha se kjo mbetet në vullnetin e presidentes.