Porti i Durrësit shënon rritje të numrit të pasagjerëve

Porti i Durrësit vijon trendin pozitiv të performancës, duke reflektuar rritje në të gjithë treguesit kryesorë të aktivitetit.
Sipas Autoritetit Portual Durrës, në gjashtëmujorin e parë 2025 janë përpunuar mbi 1.9 milionë tonë mallra ose 3.8 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, raporton ATSH.
Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Kreshnik Bajraktari, theksoi se ky rezultat është produkt i bashkëpunimit të ngushtë me operatorët portualë.
Pozitiv, sipas tij, ka qenë edhe bilanci i transportit të pasagjerëve dhe automjeteve përmes Terminalit të Trageteve, ku janë përpunuar 241.490 pasagjerë, një rritje prej 6 për qind krahasuar me 2024.
Në hyrje të vendit janë regjistruar 112.194 pasagjerë, ndërsa 129.269 kanë udhëtuar drejt porteve ndërkombëtare.

Lexo edheRritet numri i rasteve të dhunës në familje në Gjermani
Po ashtu, mbi 104 mijë automjete, kamionë dhe trailerë janë përpunuar në port, me një rritje prej 5 për qind në krahasim me gjashtëmujorin e parë 2024.
Në rritje ka qenë edhe sektori i kontejnerëve, me 104.180 njësi kontejnerësh (TEU) të përpunuara ose 970.031 tonë mallra.
Veçanërisht, mallrat e importuara me kontejnerë kanë shënuar rritje deri në 10 për qind.














