Takimi i radhës në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, i zhvilluar nën ndërmjetësimin e emisarit të posaçëm të BE-së, Peter Sorensen, u përmbyll sot pa ndonjë përparim.
Pas bisedimeve, Petkoviq tha për mediat serbe se kishte kërkuar me ngulm themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por akuzoi palën kosovare për mungesë vullneti në këtë drejtim.
Sipas tij, Bislimi nuk dha një qëndrim të qartë mbi pranimin e draftit evropian për statusin e Asociacionit.
“Nëse nuk ka Asociacion, lind pyetja e mbijetesës së popullit serb në Kosovë. Pra, për ne, kjo tani është një çështje humanitare sepse populli serb nuk mund ta durojë më gjithë terrorin që vuajnë nga policia e Kurtit dhe regjimi i Kurtit. Ia thashë hapur këtë z. Bislimit”, citohet të ketë deklaruar Petkoviq.
“Bashkësia e komunave serbe përfaqëson një kornizë për mbijetesën e popullit tonë dhe ne do të këmbëngulim në këtë. Ne thamë se parakusht për çdo arsye të mëtejshme në aspektin e hapave të mëtejshëm është të kemi atë asociacionin që kemi pritur për 12 vjet”, ka shtuar ai.