April Grey, artistja amerikane që krijon, shkruan dhe prodhon gjithçka vetë nën emrin Underscores, vjen me albumin U, një projekt që dëshmon edhe një herë imagjinatën e saj të pazakontë dhe talentin e rrallë në pop.
E njohur prej kohësh në qarqet alternative dhe e vlerësuar nga emra si 100 Gecs, Danny Brown dhe Travis Barker, Grey ka qenë gjithmonë e vështirë për t’u futur në një kategori të vetme. Albumet e saj të mëparshme, si Fishmonger dhe Wallsocket, ishin të mbushura me ide, kthesa dhe shtresa të shumta tingujsh, deri në pikën që ndonjëherë dukeshin të tejngarkuara.
Në to përziheshin hyperpop-i, emo-pop punk-u, elektronikë të ashpra, ritme të çrregullta, kitarë të deformuara, bas i rëndë, nu-metal, shoegaze dhe një mori efektesh zanore, duke krijuar një përvojë të vrullshme, por jo gjithmonë të lehtë për t’u përtypur.
Edhe në U nuk mungon prirja e Grey për maksimalizëm. Që në minutat e para dëgjohen sintisajzerë EDM, vokale të përpunuara fort me AutoTune, ndërprerje të papritura, të qeshura, ritme të fuqishme dhe efekte që e mbajnë dëgjuesin vazhdimisht në tension. Pra, kemi ende të bëjmë me një artiste që nuk i shmanget teprisë dhe eksperimentit.
Por këtë herë ka ndodhur edhe një lloj kthjellimi artistik. U tingëllon më i përmbajtur krahasuar me punët e mëparshme dhe kjo i shërben dukshëm albumit. Ndikimi i emo-s dhe punk-ut është zbehur ndjeshëm, ndërsa në qendër del fryma e R&B-së së fundviteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000, periudhë e dominuar nga emra si Timbaland, The Neptunes dhe Rodney “Darkchild” Jerkins.
Jehoja e asaj kohe ndihet në shumë këngë: nga kitarat akustike të ndritshme te Hollywood Forever dhe Wish U Well, te vokalet e prera me ritëm në Music, te pulsi minimalist i Innuendo (I Get U) dhe sintisajzerët e ashpër të Do It.
Megjithatë, albumi nuk tingëllon si nostalgji e ricikluar. Përkundrazi, Grey i jep kësaj fryme një trajtë krejt moderne, duke e përzier me AutoTune të ekzagjeruar, elektronikë të frymëzuara nga dubstep-i, ritme që ndryshojnë papritur drejtimin dhe linja acid që e mbajnë albumin të gjallë dhe bashkëkohor.
Ajo që del më qartë në pah në këtë projekt është aftësia e Grey si autore këngësh. Duke e ulur pak zhurmën dhe ngarkesën e zakonshme, U lejon që të shihen më mirë forcat e saj të vërteta: ndërtimi i këngëve, ndjesia për refrenin dhe intuita pop.
Këngë si Bodyfeeling dhe Do It tingëllojnë si materiale që shumë yje të mëdhenj të pop-it do t’i donin për repertorin e tyre.
Edhe tekstet duken më të fokusuara se më parë. Në vend të një bote komplekse konceptuale si ajo e Wallsocket, këtu albumi sillet kryesisht rreth dashurisë dhe marrëdhënieve, por me ide të freskëta dhe këndvështrime origjinale.
The Peace ndjek ecurinë e një lidhjeje përmes cigareve të ndara mes dy njerëzve, ndërsa Hollywood Forever dhe Do It trajtojnë me humor dhe zgjuarsi takimet romantike në një realitet ku fama, qoftë edhe modeste, ndikon në gjithçka.
Do të ishte joshëse të thuhej se ky kthim drejt një tingulli më të qartë mund ta shtyjë April Grey drejt suksesit më të madh në rrjedhën kryesore të pop-it. Por në muzikën e sotme, parashikime të tilla janë gjithnjë e më të vështira.
Ajo që mund të thuhet me siguri është se U është një album më i pjekur, më i menduar dhe më i realizuar se shumica e publikimeve të fundit nga emrat e mëdhenj të pop-it.
Në fund, U e konfirmon Underscores si një nga mendjet më interesante dhe më të mprehta të pop-it bashkëkohor. /GazetaExpress/