back to top
Thursday, February 12, 2026
BallinaRegjionaleDrenasPolitikania nga Drenica në Suedi, Aurora Pirraku Nika: Procesi në Hagë, çështje...

Politikania nga Drenica në Suedi, Aurora Pirraku Nika: Procesi në Hagë, çështje që prek të gjithë shqiptarët

Të ngjajshme

Drenicë – Aurora Pirraku Nika, politikane në Suedi me prejardhje nga Drenica, ka reaguar lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke e cilësuar atë si një nga momentet më të ndjeshme juridike dhe historike për popullin shqiptar.
Sipas saj, kërkesa e Prokurorisë për dënime deri në 45 vite burgim ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe të tjerë, po perceptohet nga shumë shqiptarë jo vetëm si proces penal ndaj individëve, por si një çështje që prek dinjitetin dhe kujtesën kolektive të një populli të tërë.
Pirraku Nika thekson se lufta në Kosovë është përjetuar nga shumica e popullsisë shqiptare si një luftë për mbijetesë dhe liri, ndërsa familje të tëra kanë kaluar nëpër dëbime masive, vrasje, zhdukje dhe trauma të thella që, sipas saj, vazhdojnë të ndikojnë brezat edhe sot.
“Si kriminologe dhe specialiste e traumës, jam e vetëdijshme se drejtësia është thelbësore — por ajo duhet të jetë e balancuar, e paanshme dhe e ndjeshme ndaj kontekstit historik në të cilin ndodhën ngjarjet”, ka deklaruar ajo.
Ajo shton se kur kërkohen dënime kaq të rënda ndaj figurave që për shumë qytetarë simbolizojnë rezistencën dhe mbrojtjen e popullit, kjo perceptohet si më shumë sesa një çështje juridike, duke theksuar se për shqiptarët në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë, procesi në Hagë është një çështje që i përket secilit prej tyre.
Megjithatë, Pirraku Nika thekson se beson fuqishëm në sundimin e ligjit dhe në parimin e përgjegjësisë individuale, por nënvizon se drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjitha palët, në mënyrë që të mos krijojë perceptimin e dënimit kolektiv apo të njëanshëm.
Në fund, ajo u bën thirrje institucioneve në Hagë dhe komunitetit ndërkombëtar që procesi të zhvillohet me transparencë të plotë, paanshmëri dhe respekt për kontekstin historik të konfliktit, duke shtuar se paqja dhe stabiliteti afatgjatë në rajon varen nga një drejtësi që shihet si e drejtë dhe e balancuar.
“Kjo nuk është thirrje kundër drejtësisë. Është thirrje për drejtësi të plotë, të përgjegjshme dhe të ndjeshme ndaj historisë dhe dhimbjes së një populli”, përfundon reagimi i saj.

Të Fundit

Sport

ShowBiz