Policia Rajonale e Ferizajt në bashkëpunim me Komunën kanë realizuar një aktivitet festiv në sheshin “Adem Jashari” në Ferizaj, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Me këtë rast, Policia prezantoi para fëmijëve të gjitha njësitë policore dhe ekspozoi pajisjet me të cilat ata punojnë çdo ditë.
Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, ka thënë se aktivitetit iu bashkëngjitën edhe përfaqësues nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), KFOR-i, Brigada e Zjarrfikësve dhe Emergjenca e Ferizajt.
“Fëmijët patën mundësinë të bashkëbisedojnë nga afër me pjesëtarët e secilit institucion dhe të realizojnë fotografi si kujtim nga ky aktivitet.Qëllimi i këtij organizimi ishte rritja e besimit të fëmijëve dhe prindërve të tyre ndaj institucioneve të sigurisë, duke promovuar një qasje të hapur, edukative dhe miqësore ndaj komunitetit”, ka thënë Veseli./Telegrafi/
