Policia e Shqipërisë alarmon për përfshirjen e të miturve në protesta: Fëmijët nuk janë mburojë e askujt
dp·

Policia e Shtetit në Shqipëri ka shprehur shqetësimin për pjesëmarrjen e një numri të konsiderueshëm të miturish në protestat e ditëve të fundit, duke paralajmëruar për rrezikun ndaj të cilit po ekspozohen.
Policia ka bërë të ditur se në disa raste fëmijët janë gjendur në vijën e parë të përplasjeve, duke u ekspozuar ndaj dhunës, hedhjes së sendeve të forta dhe mjeteve të përdorura nga policia për menaxhimin e situatës, raporton lajmi.net
Policia u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të tregojnë kujdes të shtuar për fëmijët e tyre dhe të sigurohen se ata nuk po marrin pjesë në situata që mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre.
Postimi i plotë:

Lexo edhePamje ekskluzive: Nisin grabitjet në lokale të telefonisë në Tiranë
DEKLARATË E POLICISË SË SHTETIT
Policia e Shtetit ka konstatuar me shqetësim pjesëmarrjen e një numri të konsiderueshëm të miturish në protestat e ditëve të fundit.
Në disa raste, fëmijët janë gjendur në vijën e parë të përplasjeve, të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj akteve të dhunës, sendeve të forta të hedhura dhe mjeteve të përdorura nga Policia për menaxhimin e situatës.
Siguria e fëmijëve është një përgjegjësi që nuk mund të negociohet dhe nuk mund të përdoret për asnjë qëllim.
Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor të garantojë rendin dhe sigurinë publike, duke treguar kujdes të veçantë për mbrojtjen e të miturve. Por kjo përgjegjësi u takon, para së gjithash, prindërve dhe kujdestarëve ligjorë.
Prandaj, u drejtohemi përsëri prindërve me një apel të qartë:
Dijeni ku janë fëmijët tuaj! Mos lejoni që ata të ekspozohen ndaj dhunës dhe situatave që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre.
Nëse fëmija juaj mungon në shkollë, interesohuni ku ndodhet. Asnjë fëmijë nuk duhet të gjendet mes gurëve, mjeteve piroteknike dhe gazit lotsjellës.
Në të njëjtën kohë, Policia e Shtetit shpreh shqetësimin e thellë për raste të dyshuara të përdorimit të të miturve në vijën e parë të përplasjeve, duke i ekspozuar ata ndaj rrezikut për qëllime të caktuara.
Përdorimi i fëmijëve si mburojë për akte dhune nuk është ushtrim i së drejtës për protestë. Është një veprim i papranueshëm që cenon sigurinë dhe të drejtat e tyre.
Çdo rast i dyshuar i nxitjes, organizimit apo shfrytëzimit të të miturve për veprime të kundërligjshme do të dokumentohet dhe do t’u referohet institucioneve kompetente, në përputhje me ligjin.
Policia e Shtetit respekton dhe garanton të drejtën e protestës paqësore, përfshirë të drejtat e të miturve, por do të marrë të gjitha masat e nevojshme dhe proporcionale për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e tyre.
Fëmijët nuk janë mburojë e askujt dhe nuk mund të kthehen në instrumente të përplasjeve për qëllime të caktuara.
Asnjë kauzë nuk vlen më shumë se jeta dhe siguria e një fëmije.
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në tubime të distancohen menjëherë nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e akteve të dhunës e të shkatërrimit. Ndaloni dhunën ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve dhe pronës publike e private! Çdo akt dhune rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe të miturve. E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin./Lajmi.net/














