Seanca e mbyllur gjyqësore ndaj të akuzuarit për krime lufte në Kosovë, Sinisha Spasiq, ka përfunduar pa praninë e mediave.
I akuzuari është larguan nga policia. Ndërkohë, Ljubomir Pantoviq, avokat i të akuzuarit Spasiq, tha se kërkesa që Prokuroria Speciale e ka dorëzuar sot, nuk i plotëson kushtet themelore që të pranohet dhe që mbi bazën e saj të caktohet paraburgimi.
Pantoviq tha se hetimi për krime lufte në komunën e Vushtrrisë, ka filluar që në vitin 1999 nga hetuesit e Tribunalit të Hagës, UNMIK-ut dhe Prokuroria e Kosovës, e sipas tij, askund nuk është përmendur Spasiq si i dyshuar për krime lufte.
Sipas tij, “kujtesa” e një dëshmitari pas 26 vitesh se Spasiq ka marrë pjesë në këto krime lufte është e çuditshme.
“Hetimi për atë krim që i vihet në barrë zotit Spasiq ka filluar që në verën e vitit 1999, pra para 26 vitesh. Dhe atë hetim e kanë zhvilluar hetuesit e Tribunalit të Hagës, pastaj hetuesit e Prokurorisë së UNMIK-ut, të EULEX-it dhe hetuesit kosovarë. Dhe në kuadër të atij hetimi janë marrë në pyetje me siguri dhjetëra dëshmitarë. Gjatë atyre 26 viteve askush, asnjëherë, në asnjë kontekst që ka të bëjë me atë krim, nuk e ka përmendur Sinisha Spasiq. Deri para një muaji e gjysmë, kur një dëshmitar u kujtua se Sinisha kishte marrë pjesë në atë krim, por e kishte harruar ta thoshte për plot 26 vite. Pas kësaj iu “rifreskua”, që të them kështu, kujtesa edhe disa dëshmitarëve të tjerë, dhe edhe ata deklaruan se Sinisha kishte qenë pjesëmarrës në atë, siç e quajnë tani, krim lufte”, tha ai.
Pantoviq tha se do të paraqesë ankesë, pasi siç tha kërkesa e Prokurorisë Speciale nuk i plotëson kushtet themelore që të pranohet dhe të caktohet masa e paraburgimit.
“Thjesht jemi në një situatë të tillë ku njerëzit po arrestohen, po ndiqen penalisht pa asnjë provë. Kjo kërkesë që Prokuroria Speciale e ka dorëzuar sot, unë po ju them, nuk i plotëson kushtet themelore që të pranohet dhe që mbi bazën e saj të caktohet paraburgimi, sepse absolutisht nuk është paraqitur, nuk është dëshmuar dyshimi i bazuar se zoti Spasiq ka marrë pjesë në atë ngjarje, e ky është kushti themelor që ndaj një personi të caktohet masa e paraburgimit. Do të paraqes ankesë”, tha Pantoviq.
Spasiq u arrestua të dielën në pikën kufitare të Merdarës, si i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Sipas njoftimeve nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ai dyshohet për përfshirje në krime të kryera më 6 prill 1999 në komunën e Vushtrrisë, në rajonin e Mitrovicës.
Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, S.S. dyshohet se në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të uniformuar duke vepruar në grup si zyrtarë të mobilizuar rezervistë aktiv me njësi të përbëra nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Ndër të tjera, S.S. dyshohet se më 06.04.1999 në bashkëkryerje, gjatë një aksioni ka plaçkitur, djegur shtëpi, si dhe ka ushtruar dhunë fizike dhe seksuale ndaj civilëve të paarmatosur.
Gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë edhe dëshmi të dëshmitarëve.