Drenica ka një hall të madh me disa ftesa false që po qarkullojnë nëpër rrjetet sociale.
Disa persona të papërgjegjshëm kanë bërë disa ftesa false me të cilat i ftojnë lojtarët për t’iu bashkuar Drenicës.
Kjo ka bërë që presidenti i klubit nga Skenderaj, Ilir Veliqi, të dalë me një sqarim publik për opinionin.
Ai ka thënë se këto janë ftesa false dhe se kanë njoftuar FFK-në dhe organet shtetërore për rastin në fjalë.
Njoftimi i plotë nga FC Drenica:
Sqarim për opinionin publik dhe mediat!
Ditëve të fundit në adresë të FC Drenica, por edhe të FFK-së dhe nëpër instanca të ndryshme, kanë filluar serish të qarkullojnë disa ftesa false, sikurse muaj me parë. Klubi futbollistik Drenica, është në koordinim të plotë më FFK-në, në mënyrë që t’i gjejë mashtruesit që po merren më ftesa të tilla.
Ne si klub, nuk kemi të bëjmë asgjë më këto ftesa për futbollistë nga shtete të ndryshme të botës dhe të tilla ftesa nuk janë të bërë nga KF Drenica, por nga njerëz, të cilët janë të papërgjegjshëm dhe mashtrues.
Duke iu referuar situatës, KF Drenica, u apelon FFK-së dhe organeve të rendit që të merren me rastin dhe që ta zbardhin këtë situatë, në mënyrë që emri dhe imazhi i klubit tonë dhe i FFK-së, të mos keqpërdoret nga persona të papërgjegjshëm.
Transferimet e klubit tonë, kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithmonë publike dhe për çdo futbollist të transferuar ose që jemi në kërkim si për ato vendore, ashtu edhe për ato ndërkombëtare, KF Drenica, i realizon përmes sistemeve digjitale në të cilat edhe FFK-ja, ka qasje dhe i monitoron vazhdimisht, ndaj jashtë kësaj, KF Drenica, nuk dërgon ftesa për futbollistë në forma të tilla siç janë prezantuar kohët e fundit (shih foton).
U bëjmë thirrje edhe njëherë, FFK-së, por edhe organeve shtetërore që të merën me rastin në fjalë, pasi që edhe klubi ynë po ka shqetësime nga persona të papërgjegjshëm që po merren më gjëra të tilla, që nuk kanë të bëjnë fare me klubin tonë.
Ne jemi gjithmonë të hapur për bashkëpunim me FFK-në, për çdo dukuri negative që dëmton imazhin dhe reputacionin e klubit, por edhe të futbollit tonë në përgjithësi.
(Në foto është ftesa e cila po qarkullon nëpër rrjete sociale dhe e-maile te klubit).
Me respekt,
z. Ilir Veliqi
President i FC Drenica