BallinaLajmeLajmet e FunditPlanifikoni një akuarium? Këta peshq kanë nevojë për shoqëri për të mbijetuar

Planifikoni një akuarium? Këta peshq kanë nevojë për shoqëri për të mbijetuar

Vetmia i dëmton

Edhe pse shumë i imagjinojnë ata si të vetmuar të qetë në akuarium, disa peshq në të vërtetë nuk mund të jetojnë pa shoqëri.

Peshqit janë shoqërorë nga natyra, notojnë në grupe, komunikojnë me lëvizjet e trupit dhe ndihen më të sigurt dhe më të shëndetshëm kur rrethohen nga pjesëtarë të specieve të tyre.

Nëse po planifikoni një akuarium dhe dëshironi peshq që do të jenë aktivë, të gjallë dhe të lumtur, njihni tri specie që nuk e durojnë dot vetminë dhe kanë nevojë për shoqëri për të jetuar.

Peshqit që nuk u pëlqen të jenë vetëm

Neon tetra

Neon tetrat janë ndër peshqit më të njohur të akuariumit. Përveçse janë vizualisht tërheqës për shkak të vijave të tyre blu dhe të kuqe, ata njihen edhe për sjelljen e tyre në tufa.

Në natyrë, ata jetojnë në grupe të mëdha, dhe nëse janë vetëm ose ka shumë pak prej tyre, ata janë të stresuar, të tërhequr dhe madje të sëmurë.

Rekomandohet të mbani të paktën gjashtë peshq në një akuarium të ndriçuar mirë me bimë ku mund të notojnë së bashku, transmeton Telegrafi.

Peshku zebër – Danio rerio

Speciet e këtilla janë peshq të vegjël, të shpejtë dhe lozonjarë që u pëlqen të jenë në lëvizje. Por energjia e tyre del në pah vetëm kur nuk janë vetëm.

Në një grup, ata tregojnë modele interesante sjelljeje, ndjekin njëri-tjetrin, luajnë dhe eksplorojnë çdo cep të akuariumit.

Është ideale t’i mbani në grupe prej gjashtë deri në dhjetë individësh, sepse vetëm atëherë bëhen plotësisht aktivë dhe me humor të mirë.

Pastruesi – Corydoras

Këta peshq paqësorë e duan fundin e akuariumit dhe njihen si “pastrues”, por pak njerëz e dinë se janë jashtëzakonisht shoqërorë. Corydoras nuk u pëlqen të jenë vetëm.

Nëse janë të izoluar, tërhiqen, ndalojnë së eksploruari dhe bëhen letargjikë. Kur janë në një grup, ata eksplorojnë fundin së bashku, pushojnë dhe komunikojnë me njëri-tjetrin.

Rekomandohet t’i mbani në grupe prej të paktën katër deri në gjashtë individësh, me një substrat të imët që nuk do t’u dëmtojë mustaqet. /Telegrafi/

- Advertisement -