PISA na alarmon: Telefonat në klasë dhe shpërqendrimi i nxënësve

Shkruan, Albert Kurtulaj
Besoj se është e nevojshme që tema e telefonave që nxënësit bartin dhe përdorin në shkolla të trajtohet përsëri, por kësaj here jo vetëm si çështje e ndalimit, por si çështje e zbatimit praktik dhe përgjegjësisë së përbashkët.
Nëse ekziston një Udhëzim Administrativ dhe vendim përkatës që rregullon përdorimin e telefonave gjatë procesit mësimor, atëherë DKA-të dhe shkollat duhet të ndërmarrin hapa konkretë për zbatimin e tij në mënyrë të njëtrajtshme.
Një zgjidhje praktike do të ishte që çdo klasë të pajiset me një dollap ose kuti të posaçme për telefonat e nxënësve. Në fillim të mësimit, telefonat vendosen në hapësirat e përcaktuara dhe qëndrojnë aty deri në përfundim të të procesit mësimor. Kjo do ta bënte rregullin më të qartë, më të zbatueshëm dhe do të shmangte debatet e panevojshme gjatë orës.
Natyrisht, kjo duhet të shoqërohet me rregulla të qarta për përgjegjësinë, sigurinë dhe rastet e jashtëzakonshme, në mënyrë që masa të jetë praktike dhe e pranueshme për të gjithë.

Lexo edheNga beteja me leukeminë te beteja për vendin e tij: Arwid Hall hyn në garën politike në Isle of Man
Edhe prindërit kanë një rol të rëndësishëm. Nëse shkolla vendos kufizime për përdorimin e telefonit gjatë mësimit, prindërit duhet ta mbështesin këtë rregull dhe të shmangin komunikimin me fëmijët gjatë orës për çështje që nuk janë urgjente. Në raste të jashtëzakonshme, komunikimi mund të bëhet përmes shkollës.
Qëllimi nuk është t’ua marrim nxënësve telefonat, por të krijojmë një hapësirë ku nxënësi të jetë i përqendruar te mësimi.
Klasa duhet të jetë hapësirë për mësim, përqendrim, bashkëpunim dhe komunikim të drejtpërdrejtë.
Prandaj, zbatimi i rregullit duhet të shoqërohet me zgjidhje konkrete, infrastrukturë të përshtatshme dhe bashkëpunim mes shkollës, mësimdhënësve, DKA-ve, nxënësve dhe prindërve.
Rregullat kanë kuptim kur janë të qarta, kur krijohen kushtet për zbatimin e tyre dhe kur mbështeten nga të gjithë.














