“Pini 2 litra çaj mali në ditë”, mjeku i njohur shqiptar tregon sekretin për të luftuar gripin

Mjeku Petrit Vargu këshillon që të konsumohet sa më shumë çaji i malit në këtë periudhë, në mënyrë që të luftohet gripi.
Në një intervistë në “Dita jonë” në A2 CNN, Vargu shpjegoi se përdorimi i antibiotikëve, sidomos pa rekomandimin e mjekut, është gabim i rëndë. “Gripi nuk mjekohet me antibiotikë.
Antibiotikët përdoren vetëm në rast komplikacionesh bakteriale dhe vetëm me vlerësim mjekësor.
Ajo që rekomandohet është përdorimi i antiviralëve në dy ditët e para, sepse ulin ngarkesën virale”, tha ai.
“Çaji është antiinflamator i shkëlqyer. Çaji i malit është ndër më të mirët, po ashtu sherebela. Duhet pirë në temperaturë ambienti, jo shumë i nxehtë. Idealja është deri në 2–2,5 litra në ditë, nëse nuk ka kundërindikacione shëndetësore”.

Lexo edheDenigrimi karshi Malit/ BBVA penalizon Rogertin
Vargu shpjegoi gjithashtu se gripi që po qarkullon në vendin tonë është grip sezonal. “Shpesh përdoret gabimisht termi “virozë”, por nuk është e saktë. Virozat kanë simptoma shumë më të lehta krahasuar me gripin. Gripi sezonal, që zakonisht shfaqet në Shqipëri nga janari deri në mars, është sëmundja virale më e rëndë respiratore që kalojmë gjatë vitit. Transmetohet në mënyrë aerogjene dhe ka një ngarkesë të lartë simptomash”, u shpreh ai.
“Simptomat janë të ngjashme me virozat, por shumë më të theksuara: Bllokim i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, bllokim i hundës, dhimbje veshi, dhimbje koke shumë e fortë, dhimbje muskulore intensive, temperaturë e lartë. Cikli i sëmundjes zgjat rreth pesë ditë, me kulmin e simptomave zakonisht ditën e tretë. Temperatura mund të shkojë deri në 40-41 gradë, sidomos te personat që nuk janë vaksinuar”.
Sipas tij, gripi është më shumë agresiv këtë vit. “Sepse shumë njerëz janë të pambrojtur”, tha ai. “Pas izolimit gjatë Covid-19, trupi ynë humbi ekspozimin ndaj gripave të tjerë dhe rrjedhimisht antitrupat. Covid-19 ishte “luani” i virozave, dhe gjatë asaj periudhe qarkullimi i viruseve të tjera u ndërpre. Tani, këto vite të fundit, gripi është rikthyer shumë agresiv. Nuk kemi kulturë vaksinimi. Propaganda gjatë Covid-19 dëmtoi besimin ndaj vaksinave. Vaksina e gripit duhet bërë në tetor–nëntor, jo tani. Ajo krijon antitrupa specifikë ndaj variantit që pritet të qarkullojë. Aktualisht vaksinimi nuk ka më efekt mbrojtës për këtë sezon”.














