Përshkallëzohet konflikti SHBA-Iran, përplasje në Gjirin Persik dhe në Hormuz

Tensionet në Lindjen e Mesme po hyjnë në një fazë të re përshkallëzimi, me përplasje të drejtpërdrejta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Gjirin Persik dhe pranë Ngushticës së Hormuzit. Irani pretendon se ka sulmuar disa anije, ndërsa SHBA-ja thotë se kanë shkatërruar pesë tankerë iranianë. Në të njëjtën kohë, Jordania raportoi se ka interceptuar shumicën e raketave balistike të lëshuara nga Irani, duke shtuar shqetësimet për zgjerimin e konfliktit në të gjithë rajonin.
Konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është përshkallëzuar në ujërat e Gjirit Persik dhe rreth Ngushticës së Hormuzit. Sipas raportimeve të publikuara nga mediat e huaja, palët kanë ndërmarrë sulme ndaj anijeve dhe tankerëve, ndërsa tensionet po rriten edhe në rajonin e Lindjes së Mesme.
Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) pretendon se ka sulmuar 10 anije, përfshirë dy anije amerikane dhe tetë cisterna, në atë që e paraqet si kundërpërgjigje ndaj veprimeve amerikane.
Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka deklaruar se forcat amerikane kanë shkatërruar pesë tankerë iranianë të naftës bruto më 8 shtator, pas përpjekjeve për sulme me raketa ndaj një anijeje luftarake amerikane.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, paralajmëroi Teheranin se Uashingtoni do të vazhdojë të godasë tankerët iranianë nëse vazhdojnë përpjekjet për sulme ndaj anijeve amerikane.
“Sa herë që Irani përpiqet ta bëjë këtë, do të humbasë anije cisternash”, tha Rubio.
Ndërkohë, Jordania njoftoi se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 18 nga 20 raketa balistike të lëshuara nga territori iranian.
Sipas autoriteteve jordaneze, dy raketat e tjera ranë në zona të pabanuara dhe nuk pati viktima.

Lexo edheZelensky: Negociatorët amerikanë kishin ide të mira për fundin e luftës
Një tanker i vogël iranian është goditur nga një raketë amerikane pranë ishullit Kharg, sipas raportimeve të mediave lokale. IRGC ndërkohë ka kërcënuar me hakmarrje ndaj anijeve në portet e Kuvajtit dhe Bahreinit ku ndodhen forca amerikane, duke u bërë thirrje ekuipazheve të largohen.
Irani gjithashtu ka pretenduar se ka rrëzuar një dron amerikan MQ-1 mbi Ngushticën e Hormuzit. Më herët, Teherani kishte njoftuar edhe për sekuestrimin e një droni nënujor amerikan, ndërsa Uashingtoni e kishte përshkruar incidentin si humbje të një pajisjeje të vjetër që nuk mbante të dhëna apo pajisje të ndjeshme.
SHBA-ja vendos sanksione të reja ndaj Iranit.
Në kuadër të përshkallëzimit të presionit ndaj Teheranit, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur 36 sanksione të reja, duke synuar sektorin iranian të aviacionit dhe kompanitë që ndihmojnë Iranin të sigurojë avionë dhe teknologji të ndjeshme. Në listën e masave janë përfshirë edhe 27 kompani ajrore iraniane, si edhe kompani nga Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në një zhvillim tjetër, Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar ndalimin e importit të mallrave nga vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar. Masën e kanë mbështetur edhe 11 vende të tjera, të cilat i kanë bërë thirrje Izraelit të ndalojë zgjerimin e vendbanimeve dhe kanë theksuar rëndësinë e zgjidhjes me dy shtete.
Izraeli ka paralajmëruar kundërmasa ndaj Londrës, përfshirë mbylljen e konsullatës britanike në Jerusalem dhe ndalimin e hyrjes për 12 zyrtarë dhe qytetarë britanikë.
Ndërkohë, ushtria libaneze ka deklaruar se ka vendosur njësitë e saj në pjesët e jugut të Libanit që nuk janë nën kontrollin izraelit. Pavarësisht marrëveshjes së arritur në qershor, Izraeli ka vazhduar sulmet në disa zona të Libanit Jugor.
Në një tjetër zhvillim, të paktën 73 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, janë plagosur nga sulmet e rebelëve Huthi në katër qytete të Arabisë Saudite. Autoritetet saudite kanë deklaruar se sulmet kishin në shënjestër objekte civile dhe tregtare dhe kanë paralajmëruar një përgjigje të ashpër.














