Përgatitja mendore para operacionit mund të ndikojë në rikuperim, tregon studimi i ri

Një studim i ri sugjeron se kujdesi për shëndetin mendor para operacionit mund të ndihmojë pacientët, veçanërisht të moshuarit, në përballimin e ankthit dhe depresionit gjatë periudhës së rikuperimit.
Studimi, i publikuar në revistën JAMA Network Open, përfshiu 306 persona të moshës 60 vjeç e lart, të cilët po përgatiteshin për ndërhyrje në zemër, trajtim kirurgjikal për kancer ose operacione ortopedike.
Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe. Njëri grup mori vetëm materiale informuese për t’i lexuar në mënyrë të pavarur, ndërsa grupi tjetër zhvilloi tetë deri në 12 biseda telefonike me profesionistë të shëndetit mendor. Ky grup mori gjithashtu vlerësim të personalizuar nga mjekë dhe farmacistë për përdorimin e barnave me rrezik të lartë.
Tre muaj pas operacionit, pacientët që kishin marrë mbështetje nga profesionistët e shëndetit mendor dhe rishikim të barnave shënuan një ulje më të madhe të simptomave të ankthit dhe depresionit, krahasuar me grupin që kishte marrë vetëm materiale edukative.

Lexo edhe8 shenja të hershme të tumoreve të gjakut që shpesh kalojnë pa u vënë re
Sipas rezultateve, ulja ishte rreth 2.2 deri në 2.5 pikë më e madhe në një shkallë prej 48 pikësh. Përmirësimi më i madh u vu re te pacientët e moshuar që iu nënshtruan operacioneve për kancer, të cilët shënuan gati pesë pikë më pak në vlerësimin e simptomave të shëndetit mendor krahasuar me grupin tjetër.
Autorët theksojnë se stresi i lidhur me operacionin mund të përkeqësojë ankthin dhe depresionin dhe të ndikojë në rikuperimin e pacientit. Për këtë arsye, ata argumentojnë se kujdesi para operacionit duhet të përfshijë edhe përgatitjen psikologjike, krahas përgatitjes fizike.














