BallinaPër shkak se Tajvani është pjesë e Gaias

Për shkak se Tajvani është pjesë e Gaias

Shkruan: Kuo-Yen Wei/

Masat që Tajvani, si pjesë e Gaias, ka zbatuar deri më tani, e dëshmojnë përkushtimin e tij që të përmbushë obligimet si qytetar i përgjegjshëm global, duke e arritur pjesëmarrjen kuptimplotë në marrëveshjet ndaj ndryshimeve klimatike dhe krijimin e një bote të begatë dhe të qëndrueshme për gjeneratat e ardhshme

Gjashtë viteve shtatëdhjetë, studiuesi britanik James Lovelock e paraqiti hipotezën Gaia që thotë se Toka është një sistem vetërregullues, kompleks dhe se qeniet njerëzore përbëjnë një organ të këtij entiteti. Mirëqenia e planetit rrjedhimisht varet nga aftësia e njerëzimit për ta arritur një balancë të përshtatshme midis zhvillimit ekonomik e social, në njërën anë, si dhe mbrojtjes së ambientit, në anën tjetër.

Si anëtare e përgjegjshme e fshatit global, Tajvani është i përkushtuar tashmë sa kohë, ashtu si edhe proaktiv në përpjekjet e veta për t’u përballur me ndryshimet klimatike dhe për të siguruar qëndrueshmëri ekologjike. Vetëm gjatë vitit të kaluar, qeveria e ka kthyer në ligj objektivin e saj afatgjatë për kufizimin e sasisë së lirimit të gazeve që shkaktojnë efektin serë (GHG), gjë që paraqet dëshmi të gatishmërisë së Tajvanit për të kontribuar në përpjekjet globale rreth reduktimit të dyoksidit të karbonit. Masat tona në këtë aspekt janë përmendur nga shtetet evropiane, SHBA-ja dhe shtetet e tjera të avancuara.

Më 1 korrik të vitit 2015, Qeveria e paraqiti Ligjin për reduktimin e emetimit të gazeve serrë dhe menaxhimin e tyre, që shërben si bazë ligjore e përpjekjeve të kamotshme të Tajvanit për luftimin e ndryshimeve klimatike, si mënyrë për t’iu përgjigjur thirrjes për masa në botë rreth reduktimit të dyoksidit të karbonit dhe si mënyrë për t’i hapur rrugë planifikimit politik dhe investimit të resurseve, me qëllim të përshpejtimit të transformimit ekonomik dhe zhvillimit të shoqërisë që nuk mbështetet shumë tek dyoksidi i karbonit. Ligji fuqizon qeverinë që të ndërmarrë veprime për zbatimin e strategjive shtetërore të zbutjes dhe përshtatjes.

Duke artikuluar në mënyrë të qartë synimin afatgjatë të Tajvanit për reduktimin e emetimit të gazrave, duke definuar përgjegjësitë e qeverive qendrore dhe lokale, duke paraqitur objektivet e GHG-së për periudha të njëpasnjëshme pesëvjeçare dhe duke siguruar një bazë ligjore për krijimin e një fondi për reduktimin dhe menaxhimin e GHG-ve, ligji i mundëson Tajvanit që të ndërtojë në mënyrë progresive kapacitetet e veta të reduktimit të emetimeve, në mënyrë që të përballet më mirë me ndryshimet klimatike dhe të kalojë në një periudhë të varësisë më të vogël ndaj karbonit.

Duke iu përgjigjur Thirrjes së Limas për veprim rreth klimës në kuadër të Kornizës së Konventës së OKB-së për ndryshimet klimatike (UNFCC), Tajvani e ka ndërmarrë nismën që të publikojë Kontributin e vet të përcaktuar shtetëror (INDC), në pajtim me Ligjin themelor për ambientin dhe Ligjin për reduktimin e emetimit të gazeve serrë dhe Menaxhimit. Ashtu si thuhet në INDC, objektiv i Tajvanit është që ta arrijë një reduktim prej 50 për qind të emetimeve të deritanishme të tij deri më 2030, përqindje kjo e barasvlershme me uljen e emetimit të GHG-së në 20 për qind nën nivelet e 2005-s. Është ky një objektiv i ndërmjetëm drejt arritjes së cakut afatgjatë, që theksohet në Ligjin për reduktimin e emetimit të gazeve serrë dhe menaxhimin, që parasheh reduktimin e emetimit në 50 për qind të niveleve të vitit 2005, deri në vitin 2050.

Qëllimi afatgjatë është ambicioz, por sidoqoftë i arritshëm. Tajvani tashmë ka ndërmarrë veprime të konsiderueshme për të përmbushur zotimet e veta për zbutjen. Këtu përfshihet paraqitja e Ligjit për reduktimin e gazeve serrë dhe menaxhimin, Ligji për administrim në energjetikë, Ligji për zhvillimin e energjisë së ripërtërishme, ashtu si edhe politika të tjera relevante, si edhe projekte dhe programe të zbatuara në pajtim me këto ligje. Këto masa kanë hyrë në fuqi, për të ndihmuar bizneset të reduktojnë emetimet, për të përshpejtuar zhvillimin e energjisë së ripërtërishme dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm. Për ta ruajtur konkurrueshmërinë në nivel shtetëror, qeveria po ashtu planifikon të marrë pjesë në mekanizmat e tregut ndërkombëtar.

Pas shumë vitesh përpjekjeje, negociatat ndërkombëtare rreth ndryshimeve klimatike kanë arritur para një udhëkryqi kritik. Në takimin e ardhshëm të 21-të të Konferencës së Palëve të UNFCC-së në Paris, prej 30 nëntorit deri më 11 dhjetor, bisedimet pritet që të rezultojnë me një marrëveshje të re rreth ndryshimeve klimatike, që do të përfshijë të gjithë nënshkruesit.

Masat që Tajvani, si pjesë e Gaias, ka zbatuar deri më tani, e dëshmojnë përkushtimin e tij që të përmbushë obligimet si qytetar i përgjegjshëm global, duke e arritur pjesëmarrjen kuptimplotë në marrëveshjet ndaj ndryshimeve klimatike dhe krijimin e një bote të begatë dhe të qëndrueshme për gjeneratat e ardhshme.

(Autori është ministër në Tajvan i Administratës për Mbrojtjen e Ambientit)