Në kuadër të Javë së Gjidhënies në Kosovë, institucionet shëndetësore kanë promovuar ushqyerjen e bebeve me qumësht të gjirit. Përmes ligjëratave edukative në aktivitete të ndryshme ata kanë theksuar rëndësinë e madhe shëndetësore të gjidhënies. Profesionistët shëndetësorë thonë se qumështi i gjirit për foshnjat është i pa zëvendësueshëm.
Më moton “Për një fëmijëri të shëndetshme dhe plot hare” ka vazhduar edhe ketë vit “Java Botërore e Ushqyerjes me Gji”, e cila synon rritjen e ndërgjegjësimit, mbrojtjes, promovimit dhe mbështetjes së ushqyerjes së bebeve më gji për nënat e reja. Një qytetare nga Prishtina, e cila është bërë nënë për herë të parë, tha se këshillat që i ka marrë i kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Ajo thotë se si nënë e re që është, nuk ka pasur shumë informata për ushqyerjen e bebes me gji.
“I jam shumë falënderuese stafit në QKMF këtu në Prishtinë e sidomos për periudhën e paslindjes, mandej për këshillat për gjidhëniën sepse jam nënë e re edhe nuk kam pas shumë informata për ushqyerjen e bebes me gji”, tha ajo.
Ndërkaq, punëtorët shëndetësorë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, kanë këshilluar nënat e reja për rëndësinë e gjidhënies. Ushqyerja ekskluzivisht vetëm me qumësht gjiri në gjashtë mujorin e pare të jetës, është shumë e rëndësishme për shëndetin e foshnjave, thotë Arieta Pula, mjeke familjare. “Gjidhënia është një nga mënyrat më të mira për të siguruar fillimin më të mirë në jetë për çdo fëmijë”, thekson ajo:
“Rekomandohet që nëna brenda orës së parë pas lindjes foshnjën duhet ta vendosi në gji. Kjo e nxit refleksin e thithjes, në anën tjetër arrihet kontakti lëkurë me lëkurë ku dhe krijohet lidhja emocionale mes nënës dhe foshnjës. Qumështi i gjirit është i pazëvendësueshëm. Me anë të gjidhënies sigurohen vitaminat, mineralet, antitrupat, sigurohen të gjithë faktorët për rritje dhe zhvillim të shëndetshëm të foshnjës në gjashtë muajt e parë të jetës. Me anën e gjidhënies lirohet hormoni oksitocinë i cili ulë stresin do më thënë këtu ka përfitime edhe nëna. E ulë stresin edhe ndikon në disponimin e nënës në mënyrë që të krijohet një lidhje emocionale e ngushtë mes nënës dhe foshnjës”, tha Pula.
Ndërsa në kuadër të promovimit të gjidhënies, para Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë është zbuluar murali shumëngjyrësh për promovimin e aktit natyral të gjidhënies nga artistja Ermira Murati, e njohur si “Orange Girl”. Ajo tha se gjatë punës së këtij murali ka marrë shumë komplimente sidomos nga nënat e reja.
“Nuk kanë hezituar në asnjë moment më dhënë mirënjohje dhe fjalë të mira qytetarët, sidomos nënat për punën që është duke u bërë gjatë procesit të muralit. Ky nuk është vetëm një mural, është një akt ose njëkohësisht më thënë si një homazh i forcës, i sfidës, i dashurisë, e që veç nëna dinë ta japë këtë më së miri”, tha ajo.
Nga ana e tij, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se ekipet e tij për Promovim dhe Edukim Shëndetësor të Departamentit të Mjekësisë Sociale, në bashkëpunim me Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik dhe Qendrat Kombëtare të Mjekësisë Familjare të rajoneve, kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh për vetëdijesim në disa komuna të Kosovës në kuadër të Javës Botërore të Ushqyerjes me Gji. Këto aktivitete janë duke u realizuar në të gjitha komunat dhe kanë për qëllim të informojnë dhe të motivojnë nënat për rëndësinë e gjidhënies, si forma më e mirë e ushqyerjes së foshnjës, si dhe përfitimet shëndetësore për nënën dhe foshnjën.