Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka reaguar ndaj mënyrës se si Lëvizja Vetëvendosje ka përdorur operacionin e FSK-së në Veri, lidhur me rastin e tragjedisë në Liqenin e Ujmanit.
Në “Click” të RTV21, Peci ka akuzuar VV-në për përpjekje për përfitime politike nga një ngjarje njerëzore dhe ka theksuar se një qasje e tillë dëmton seriozitetin institucional.
“Me një qasje të tillë nuk mund t’i bindin njerëzit që i kuptojnë gjërat. Militantët e secilës parti nuk dalin të votojnë për partitë tjera – në rastin më të keq, ata vetëm abstenojnë. Nëse kanë menduar ta përdorin këtë për të mobilizuar militantët, është gabim i madh, sepse ata tashmë i kanë. Nëse kanë tentuar të fitojnë vota përmes kësaj, për mua është një akt i turpshëm. Kanë tentuar të manipulojnë një veprim shumë profesional të FSK-së mbi një tragjedi njerëzore,” tha Peci.