Ministri në detyrë, Faton Peci, ka deklaruar se dështimi për konstituimin e Kuvendit nuk lidhet me emrin e Albulena Haxhiut apo ndonjë kandidat tjetër, por me qëllimin e opozitës për të pamundësuar krijimin e Qeverisë Kurti 3.
Ai shtoi se ka parë koordinim mes PDK-së, LDK-së dhe Listës Serbe për të mos lejuar që Donika Gërvalla, vajza e heroit Jusuf Gërvalla, të zgjidhet kryetare e Kuvendit.
“Prej sot është e qartë që pretendimi i opozitës se problemi i konstituimit të Kuvendit është emri i Albulena Haxhiut, nuk qëndron. Nuk është problem Albulena, sikurse nuk janë as emrat e tjerë. Problemi i opozitës është se kanë hyrë në aranzhmane me partnerë të cilët me çdo kusht dëshirojnë ta pamundësojnë themelimin e Qeverisë Kurti 3. E kam parë me sytë e mi, në unison, që ka koordinim mes PDK-së, LDK-së dhe Listës Serbe që vajza e heroit të kombit, Jusuf Gërvalla, Donika, të mos jetë kryetare e Kuvendit të Kosovës. Personalisht kam pasur pritshmëri te dy parti politike. Kam menduar që LDK-ja do të reflektojë, për shkak se në gjenezë dhe veprimtari Donika është më LDK sesa këta që sot janë në LDK. E dyta, nuk e kam hequr nga lista e pritjeve as AAK-në, përkundër ballafaqimeve të ashpra që Donika ka pasur me zotin Haradinaj,” shtoi Peci.