BallinaLajmeLajmet e FunditPE miraton raportin për Shqipërinë: Mbështetje për reformat dhe anëtarësimin në BE

PE miraton raportin për Shqipërinë: Mbështetje për reformat dhe anëtarësimin në BE

Më 9 korrik 2025, Parlamenti Evropian miratoi raportin për Shqipërinë, duke konfirmuar mbështetjen për procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Raporti, i miratuar me 502 vota pro nga 686 të pranishëm, vlerëson progresin e Shqipërisë në fusha kyçe dhe mbështet reformat që po kryhen, veçanërisht në konsolidimin e shtetit ligjor.

Në raportin e hartuar nga eurodeputeti austriak Andreas Schieder, vlerësohet përparimi i Shqipërisë, në fusha kyçe, si drejtësia, antikorrupsioni, liria e medias dhe funksionimi i institucioneve demokratike, duke theksuar gjithashtu nevojën për adresimin e sfidave të mbetura për të garantuar një integrim të suksesshëm në BE deri në vitin 2030.

Gjithashtu raporti theksohen edhe disa problematika, sidomos në lidhje me emërimet në dy organet kyçe të drejtësisë: Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Raporti evidenton mungesën e rregullave të brendshme për funksionimin efikas të këtyre institucioneve, si dhe nevojën për rishikimin e rregulloreve për të trajtuar konfliktet e interesit të anëtarëve të tyre.

Kështu, raporti thekson: “Këshillit të Lartë Gjyqësor i mungojnë rregullat e brendshme të nevojshme për të ushtruar funksionet e tij në mënyrë efektive, ndërsa ato të Këshillit të Lartë të Prokurorisë kërkojnë rishikim. Të dy Këshillat nuk kanë rregullore të brendshme për konfliktet e interesit të anëtarëve të tyre, duke bërë që rastet e mundshme të konflikteve të interesit të mos trajtohen.”

Pikat kryesore të raportit si më poshtë:

Drejtësia:

-Progres në reformën e drejtësisë, përfshirë përfundimin e procesit të vettingut dhe miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024-2030.

-Përmirësim i infrastrukturës gjyqësore dhe sistemit elektronik të menaxhimit të çështjeve.

-Sfida: Mungesa e burimeve njerëzore, koordinimi ndërinstitucional dhe vonesat në procese gjyqësore.

Antikorrupsioni:

-Miratimi i Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit 2024-2030 dhe performanca pozitive e SPAK në ndjekjen e korrupsionit të nivelit të lartë.

-Përmirësim i hetimeve financiare dhe konfiskimit të aseteve.

-Sfida: Perceptimi i korrupsionit në administratën publike dhe monitorimi i zbatimit të strategjisë.

Liria e medias dhe pluralizmi:

-Përshëndetje për transparencën e rritur mbi pronësinë e mediave audiovizive.

-Sfida: Fuqizimi i pavarësisë së AMA dhe të transmetuesit publik, si dhe adresimi i përqendrimit të pronësisë mediatike dhe presionit ndaj gazetarëve.

Institucionet dhe kontrolli demokratik:

-Gjykata Kushtetuese ka funksionuar në mënyrë efektive.

-Sfida: Cilësia e procesit legjislativ, polarizimi politik dhe vonesat në emërimin e drejtuesve të institucioneve të pavarura.

-Përshëndetje për aktivitete të shoqërisë civile dhe përgatitjen e projektligjit të ri për vullnetarizmin

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë diskutimeve në Parlamentin Evropian, theksoi se është jetike që Shqipëria të vazhdojë progresin konkret në fusha kyçe për të përmbushur kriteret e Bashkimit Europian, duke shtuar: “Është jetike që Shqipëria të vazhdojë të tregojë progres konkret në fusha kyçe. Në këtë kontekst, pavarësia e strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK, duhet të ruhet plotësisht. SPAK është sot institucioni më i besuar në vend. Kjo duhet mbrojtur dhe forcuar.”

Në reagimin e tij, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, e cilësoi miratimin e raportit një vlerësim të rëndësishëm për Shqipërinë dhe për procesin e saj të integrimit në BE. Ai falënderoi grupet politike dhe Komisionin Europian për mbështetje të qartë dhe për angazhimin e Shqipërisë për të arritur anëtarësimin brenda kësaj dekade, duke shkruar në Facebook: “Mirënjohje grupeve të mëdha politike në PE dhe Komisionit Europian për mbështetjen e qartë të anëtarësimit të Shqipërisë brenda kësaj dekade në BE. Kryefjala e raportit të këtij viti është fakti se Shqipëria është në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë proces.”

- Advertisement -