Ruzhdi Kryeziu, sekretar organizativ i PDK-së në Malishevë, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të bëra nga Arian Tahiri për mundësinë e përfshirjes së Fatmir Limaj në listën e PDK-së në rast të zgjedhjeve të reja.
Pas paraqitjes së Tahirit në emisionin “Debat Plus”, ku ai la të hapur mundësinë e rikthimit të Limajt, Kryeziu në një prononcim për KLINA Info ka rikujtuar disa nga qëndrimet dhe veprimet e mëhershme të tij, sidomos në nivel lokal.
“Po ia rikujtoj edhe unë të bëmat që Fatmir Limaj në nivelin lokal, ku çdo herë i atakuar dhe sulmuar në mënyra të vrazhta strukturat e PDK-së”, është shprehur ai.
Sipas Kryeziut, edhe gjatë fushatës së fundit zgjedhore, qëndrimi i Limajt ka qenë i paqëndrueshëm.
“Në fushatën e fundit nuk ka lënë takim pa thënë se unë do të jem pjesë e PDK-së në parlament, e pas dështimit të tij në zgjedhje as nuk e përmendi më PDK-në”, deklaroi Kryeziu për Klina info.
Ai shtoi se menjëherë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Limaj kishte ndryshuar kurs politik.
“Përkundrazi, menjëherë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit bëri koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës për qeverisjen në Malishevë që nga viti 2013”, u shpreh ai.
Në reagimin e tij, Kryeziu komentoi edhe qëndrimin e Tahirit, duke e cilësuar si të vonuar.
“E kuptoj Arian Tahirin që në mendimin e tij personal ka për Fatmir Limajn që t’i bashkohet PDK-së, por s’e kuptoj pse nuk e bënte këtë vlerësim sa ka qenë në garë për Mitrovicën”, tha tutje ai.
Ai la të kuptohet se një deklarim i tillë mund të kishte ndikim edhe në rezultatet zgjedhore.
“Ndoshta do të kishte edhe ndonjë votë më tepër”, shtoi Kryeziu.
Në fund, ai pati edhe një rekomandim për drejtuesit e partisë.
“I kisha rekomanduar shefit tonë të grupit parlamentar që të vizitojë ndonjë ditë degën e PDK-së në Malishevë, ndoshta do të kishte formësuar më mirë mendimin e tij rreth kësaj çështjeje”, përfundoi Kryeziu.