Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se në takimin e dytë me kryeministrin Albin Kurti, PDK ka ofruar një “mundësi konkrete dhe të fundit” për të shmangur zgjedhjet e reja, duke propozuar që Presidenti të zgjidhet nga radhët e kësaj partie.
Takimi u zhvillua pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ku u diskutuan qëndrimet lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit. Hamza theksoi se kanë mbetur edhe katër ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues, transmeton lajmi.net.
“Përgjegjësia për këtë proces është e qartë dhe e padiskutueshme: i takon partisë më të madhe dhe shumicës parlamentare që udhëheq me vendin. Ata që e kanë mandatin për të qeverisur, e kanë edhe detyrimin për ta siguruar zgjedhjen e Presidentit”, ka deklaruar ai.
Hamza tha se PDK ka vepruar me maturi dhe përgjegjësi, duke hequr dorë nga vijat e kuqe në funksion të stabilitetit institucional.
“I kemi hequr vijat e kuqe për shkak se gjithmonë kam konsideruar se janë të dëmshme për konsolidimin e institucioneve dhe stabilitetin politik të vendit. Nuk e kemi përjashtuar asnjëherë mundësinë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse politike, nëse ajo do t’i shërbente shmangies së zgjedhjeve të reja dhe ruajtjes së stabilitetit të vendit. Kemi shkuar në takime për diskutimin e një presidenti konsensual”, ka thënë ai.
Ai bëri të ditur se takimin e parë me Kurtin e kishte pranuar me bindjen se ekzistonte vullnet për një figurë unifikuese nga familja Jashari, por shtoi se pas deklarimit publik të familjes, rrethanat ndryshuan.
“Sot, në takimin e dytë që pata me z. Kurti për këtë çështje, si PDK ofruam edhe një mundësi konkrete dhe të fundit për të shmangur zgjedhjet e reja: kërkuam që të zgjedhet një President i propozuar nga PDK-ja, si zgjidhje për të garantuar stabilitet institucional dhe tejkalim të ngërçit politik. Me këtë ofertë, të bërë në frymë përgjegjësie dhe për të mos e lënë vendin në krizë të panevojshme, Kryesia e PDK-së vlerëson se kontributi ynë në këtë proces është i përmbushur”, është shprehur Hamza.
Ai ngriti dilema nëse takimet e fundit po zhvillohen për të gjetur zgjidhje reale apo për të zhvendosur presionin tek opozita.
“Është legjitime të shtrohet pyetja nëse takimet e minutës së fundit po zhvillohen për të gjetur realisht një zgjidhje, apo për të ngushtuar artificialisht kohën, në mënyrë që presioni të zhvendoset tek opozita”, ka theksuar ai.
Hamza shtoi se PDK ka dëshmuar vullnet politik dhe gatishmëri për zgjidhje, por nuk mund të marrë përgjegjësi që, sipas tij, i takojnë shumicës parlamentare.
“Ne nuk mund dhe nuk do të marrim mbi vete përgjegjësi që nuk na takojnë. Nuk mund t’ua mbulojmë mungesën e numrave. Nuk mund t’ua kompensojmë mungesën e vendimmarrjes. Dhe nuk mund të zëvendësojmë shumicën parlamentare. Ne jemi opozitë. Dhe do të sillemi si opozitë”, ka deklaruar ai.
Në përfundim, Hamza theksoi se Kosova ka nevojë për President dhe për institucione funksionale, por edhe për një shumicë parlamentare që, sipas tij, mban përgjegjësinë pa kalkulime politike.
“Ne e kemi bërë pjesën tonë. Dhe nga sot, përgjegjësia është vetëm e atyre që qeverisin”, ka përfunduar kryetari i PDK-së./lajmi.net/