Patrice Evra kërkon Osimhen te Manchester United: “Duhet t’ia rrëmbejmë Arsenalit”

Legjenda e Manchester United, Patrice Evra, beson se ish-klubi i tij duhet të bëjë një goditje të madhe në merkato dhe të hyjë fuqishëm në garë për Victor Osimhen, i cili së fundmi është lidhur me një transferim te Arsenal.
Sezoni 2026/27 i Premier League nis pas një jave, ndërsa kampioni në fuqi Arsenal do ta hapë edicionin e ri në “Emirates Stadium” kundër skuadrës së sapopromovuar Coventry City.
Në prag të sezonit të ri, “Topçinjtë” kanë qenë aktivë në merkato. Klubi ka siguruar transferimin përfundimtar të Piero Hincapie pas huazimit të suksesshëm, ndërsa ka afruar edhe Ilan Meslier, Christos Tzolis dhe Bruno Guimaraes, për një shumë të kombinuar prej 109 milionë paundësh.
Megjithatë, në Londër vazhdojnë thirrjet për një përforcim të madh në sulm, dhe raportimet e fundit kanë lidhur Arsenalin me sulmuesin e Galatasarayt, Victor Osimhen.
Evra: United ka nevojë për një sulmues të madh
Osimhen është cilësuar nga trajneri i Nigerisë, Eric Chelle, si “sulmuesi më i mirë në botë”, dhe Evra mendon se Manchester United nuk duhet ta lejojë Arsenalin ta marrë pa luftë.
Duke folur për SPORTbible, Evra tha se United ka nevojë për më shumë përforcime nëse synon seriozisht titullin.
“Për ta fituar titullin? Jo, na duhet më shumë se kaq. Ende nuk e kuptoj pse nuk kemi transferuar një sulmues si Osimhen”, tha francezi.
“Ai është i jashtëzakonshëm dhe nuk dua ta shoh duke përfunduar te Real Madridi, Arsenal apo diku tjetër. Na duhet një sulmues i madh.”
Osimhen vlerësohet rreth 75 milionë euro
Një marrëveshje e mundshme mes Arsenalit dhe Galatasarayt mund të përfshijë edhe lojtarë si Gabriel Martinelli apo Ethan Nwaneri, duke ulur kështu shumën që londinezët do të duhej të paguanin në para.
Manchester United, në anën tjetër, do të duhej me shumë gjasë të paguante pjesën më të madhe të shumës së kërkuar për 27-vjeçarin.
Osimhen aktualisht vlerësohet rreth 75 milionë euro, ose afërsisht 64 milionë paund.

Lexo edheEnzo Fernández përçan tifozët e Chelsea-t mes zërave për largim
Nëse Michael Carrick do të vendoste të shtynte përpara një operacion të tillë, shpenzimet e United gjatë kësaj vere do të rriteshin ndjeshëm, pas afrimeve të Andrey Santos, Youri Tielemans, Tynan Thompson dhe Karl Darlow.
Evra kërkon edhe një mbrojtës të majtë
Për Evran, megjithatë, vetëm një sulmues i madh nuk do të mjaftonte.
Ish-mbrojtësi francez beson se Manchester United duhet të përforcohet edhe në krahun e majtë të mbrojtjes.
“Na duhet ende një mbrojtës i majtë, sepse Luke Shaw ka pasur shumë probleme me lëndime”, tha Evra.
“Dorgu mund të luajë aty, por mendoj se është më efikas kur luan më përpara, në krah.”
Edhe pse Shaw luajti në të gjitha 38 ndeshjet e Premier League sezonin e kaluar, historiku i tij me lëndimet vazhdon të shkaktojë shqetësim te një pjesë e tifozëve.
Lewis Hall nuk është më opsion realist
Manchester United ishte lidhur prej kohësh me Lewis Hall të Newcastle United si një opsion për krahun e majtë.
Megjithatë, një marrëveshje e tillë tani duket shumë e vështirë, pasi Newcastle e ka bërë të qartë se 21-vjeçari nuk është në shitje.
Në këto kushte, Evra mendon se drejtuesit e United duhet të jenë më agresivë në ditët e mbetura të merkatos.
Nëse Michael Carrick dëshiron realisht ta shndërrojë Manchester United në një pretendent për titull, sipas ish-kapitenit francez, klubi duhet të bëjë një goditje të madhe në sulm dhe të sigurojë më shumë thellësi në mbrojtje. /GazetaExpress/














