Gjykata e Apelit e ka anuluar vendimin për t’ua dhënë nga 30 ditë paraburgim pesë zyrtarëve policorë të dyshuar se e vranë “nga pakujdesia” 27-vjeçarin Agon Zejnullahu pas mesnatës së 7 korrikut në Lipjan.
Alban Zejnullahu, vëlla i Agon Zejnullahut, tha në Kosova Live në T7 se shpresojnë që Gjykata Themelore do të marrë sërish vendim për paraburgosjen e policëve.
“Shpresojmë që Gjykata Themelore në Lipjan do të vendosë njëjtë masën siç ka qenë dhe prapë do ta caktojë masën e paraburgimit ndaj atyre që e vranë vëllanë tonë”, tha ai.
Ai paralajmëroi se ndonjë vendim tjetër do t’i shtynte ata si familjarë që të mendojnë “për opsionet e tjera”.
“Përndryshe, çfarëdo vendimi tjetër, përveç neve si familje që na i rihapë plagët e vuajtjes, na shtyn me mendu edhe për opsionet e tjera. Andaj u lutemi të gjithëve, sidomos këtyre institucioneve, i lusim, me gjithë qenien po e them, që drejtësia të vijë në vend”, tha ai.
I pyetur se a po aludon për hakmarrje, Alban Zejnullahu tha: “Nuk thashë diçka konkrete, por drejtësia do të vijë në vend”.
Gjykata e Apelit, tha në një komunikatë për shtyp sot se i ka kërkuar Themelores që “t’i evitojë të gjitha shkeljet e konstatuara në aktvendimin e ankimuar, duke e kthyer çështjen në rivendosje”.