back to top
Thursday, August 21, 2025
BallinaLajmePas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie, 1 mijë euro gjobë ndaj...

Pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie, 1 mijë euro gjobë ndaj të akuzuarit për nxitje të pëçarjes dhe mosdurimit

Të ngjajshme

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 6 muaj burgim të akuzuarin për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit Stevan Cvetkoviq, i cili dënim me pëlqimin e këtij të fundit iu zëvendësua me 1 mijë euro gjobë.

Aktgjykimi ndaj Cvetkoviq u shpall të enjten nga gjykatësi Kushtrim Shyti, pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie të arritur mes të akuzuarit dhe Prokurorisë Speciale.

Gjykatësi Shyti tha se i akuzuari Cvetkoviq dënohet me 6 muaj burgim, i cili i zëvendësohet me gjobë në shumën prej 1 mijë euro, dënim ky që do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

I akuzuari dënimin me gjobë mund ta paguajë me dy këste dhe këstet revokohen nëse i dënuari nuk paguan këstin me kohë deri me datën 5 të muajit.

Cvetkoviq obligohet të paguajë shpenzimet e procedurës penale dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 50 euro dhe 100 euro të tjera për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të tij.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 13 gusht 2025, i akuzuari Stevan Cvetkoviq akuzohet se më datë 10 qershor 2025, në fshatin Sevce, Komuna e Shtërpcës, me dashje dhe me qëllim të qartë për të nxitur urrejtje, përçarje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike në Republikën e Kosovës, publikisht dhe permes postimeve në rrjetet sociale, ka ndërmarrë veprime konkrete me karakter provokues dhe nxitës.

Në aktakuzë thuhet se Cvetkoviq në një festë me karakter fetar, së bashku me persona të tjerë të nacionalitetit serb, ka shfaqur simbole nacionaliste dhe flamuj me mesazhe të hapura të urrejtjes ndëretnike, si mbishkrimi “Hrabra Četa” (në gjuhën shqipe: “Çeta e guximshme”), si dhe mbishkrime të tjera me përmbejtje nacionaliste dhe nxitëse, duke përfshirë hartën Republikës së Kosovës të mbuluar me ngjyrat e flamurit të shtetit të Serbisë me mbishkrimin “Nema Predaja” (Nuk ka dorÇzim”), të cilin i pandehuri e ka valëvitur personalisht.

Gjithnjë sipas aktakuzës. Cvetkoviq ngarkohet se me këto veprime, publikisht duke përhapur dhe shpërndarë përmes rrjeteve sociale, ka nxitur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës, duke kontribuar drejtpërdrejt në prishjen e rendit dhe sigurisë publike në Kosovë.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz