Pas një pauze të Komisionit Hetimor parlamentar në lidhje me gjendjen në Post-Telekomin e Kosovës ka filluar përsëri mbledhja e Komisionit me dëshmitar ish-kryeshefin e PTK-së, Shyqeri Haxha.
Menjëherë pas fillimit të mbledhjes kanë filluar akuzat ndërmjet Shyqeri Haxhës dhe deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.
Blerta Deliu ka thënë se do të iniciojë padi, ndaj deklaratave të Haxhës se i ka kërkuar që të punësojë njerëz në PTK.
“Unë do të ngre padi ndaj dëshmitarit pasi që nuk lejoj që emri im të lakohet nga njerëz që kanë ardhur të dëshmojnë për dështimin e PTK-së, të më akuzojnë mua që jam e zgjedhur qe tri mandate nga populli”, ka thënë deputetja.
Deliu-Kodra ka thënë se asnjëherë nuk është takuar më herët me Shyqeri Haxhën.
Blerta Deliu – Kodra është shprehur se nëse veç një person mundet Haxha ta gjejë që ajo e ka punësuar do të japë përgjegjësi para këtij komisioni dhe para deputetëve.
Shyqeri Haxha ka thënë se është nën betim dhe dëshmon se Deliu – Kodra i ka kërkuar punësimin e njerëzve.
“Në një manifestim më je afruar dhe më ke kërkuar të punësoj njerëz”, ka thënë Haxha
Shyqeri Haxha ka thënë se do ta padisë Deliu-Kodrën për siç ka thënë ai shpifjen se kinse ia ka dhënë 400 mijë euro për filmin e Azem Galicës Halil Budakovës. Në të njëjtën mënyrë i është përgjigjur edhe deputetja Deliu Kodra, e cila po ashtu ka thënë se do ta padisë Haxhën për shpifje. /GazetaExpress/