Dogana e Kosovës, këtë të shtunë ka parandaluar dy raste të tentim-kontrabandës në pikën kufitare në Jarinje.
Rasti i parë, sipas doganës, ka të bëjë me një kontroll të detajuar në një automjet të udhëtarëve, i drejtuar nga një shtetas i Serbisë, në të cilin u zbuluan dhe u sekuestruan rreth 300 gram argjend të padeklaruar.
Bëhet e ditur se malli ishte fshehur me qëllim të shmangies së detyrimeve doganore dhe futjes ilegale në tregun e Kosovës.
Sakaq, në rastin e dytë, gjatë kontrollit të një automjeti tjetër, zyrtarët doganorë zbuluan sasi të konsiderueshme produktesh të qumështit, të cilat, siç thotë dogana, po tentohej të kontrabandoheshin pa dokumentacionin e nevojshëm shoqërues dhe pa respektuar rregullat e importit të produkteve me prejardhje shtazore.
Mallrat janë sekuestruar dhe procedurat ligjore janë duke u ndjekur në bashkëpunim me institucionet kompetente.