Deputetët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, paralajmërojnë se do të kundërshtojnë në çdo formë, formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe dhe ratifikimit të marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.
E përpjekja e Qeverisë së Kosovës, për finalizimin e këtyre dy çështjeve, sipas deputetëve opozitar vetëm sa do ta tensionojë edhe më shumë gjendjen në vend. Pal Lekaj, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, tha për “Gazeta Blic” se partia e tij do ta kundërshtojë në çdo formë krjimin e Asociacionit dhe ratifikimin e Demarkacionit, duke përjashtuar gazin lotsjellës.
“Këto dy çështje tanimë për qytetarët janë të njohura e sidomos kundërshtimi i fuqishëm i opozitës dhe një pjesë e deputetëve nga pozita, mendoj që në këtë drejtim vetëm sa do ta destabilizojnë vendin dhe do ta thellojnë edhe më shumë krizën me procedimin e demarkacionit në Kuvend, mirëpo ne do ta kundërshtojmë me çdo mjet, përjashtu gazin sepse më Aleanca nuk do të përdor në Kuvend, por do t’i përdorim të gjitha metodat tjera për ta kundërshtuar këtë marrëveshje”, tha Lekaj.
I pyetur nga “Gazeta Blic” nëse do të organizohen edhe protesta në kundërshtim të këtyre dy çështjeve, Lekaj duke mos e mohuar një gjë të tillë tha se do të bëjën çdo gjë vetëm për të mos e lejuar kalimin e këtyre dy marrëveshjeve.
“Gjithçka mund të pritet, sepse nuk guxojmë që të lejojmë kalimin e këtyre marrëveshjeje edhe populli do të ngritet për ta kundërshtuar atë dhe këta do të mbetën histori e errët e kësaj qeverie”,ka thënë ai.
Edhe Donika Kadaj Bujupi, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, tha për “Gazeta Blic” se do t’i përgjigjen me kundërshtim formimit të Asociacionit dhe ratifikimit të Demarkacionit.
“Pas vërtetimit nga ekspertët se demarkacioni është i gabuar e i dëmshëm, çdo përpjekje e këtij Pushteti për të shtyrë përpara, është rikthim i tensioneve në vend dhe si opozitë sigurisht që do t’i përgjigjemi me të njëjtin vullnet dhe me të njëjtën vendosmëri sikurse edhe në të kaluarën. Kosova nuk ka tokë për pazaret e Thaçit-Mustafes dhe Veselit. Ata, pazaret mund t’i bëjnë vetëm me pronat dhe bizneset e tyre, por asnjëherë me territorin e Republikës”, ka thënë Kadaj Bujupi.
Çështaj e Asociacionit dhe Demarkacionit ka ngjallur tensione të mëdha në vend nga deputetë të partive opozitare dhe një pjesë të atyre të pozitës, pjestarë të shoqërisë civile dhe qytetarë.
Që nga shpallaj e pavarësisë së Kosovës më 2008, dy vitet e fundit janë përcjellur me më së shumti tensione, kjo pasi që Qeveria e Kosovës ka vendosur të iu jap më shumë prioritet Qeveria e Kosovës këtyre dy çështjeve./GazetaBlic.com/