Udhëheqësi kinez, Xi Jinping, po mban një paradë të madhe ushtarake për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, por aktiviteti nuk ka të bëjë vetëm me të shkuarën. Është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të riformuar rolin e ardhshëm të Kinës në skenën politike globale.
Në paradën e 3 shtatorit, Xi pritet të ketë në krah presidentin rus, Vladimir Putin, udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe më shumë se 24 krerë shtetesh e qeverish, nga Bjellorusia deri në Iran.
Parada shihet si një shfaqje e forcës ushtarake dhe diplomatike nga Pekini për të treguar armatimin më të ri dhe statusin e tij si një fuqi globale, e aftë të rivalizojë Shtetet e Bashkuara.
Por, analistët thonë se Kina e sheh, gjithashtu, këtë paradë si pjesë të një objektivi më afatgjatë: forcimin e rolit të saj në Luftën e Dytë Botërore, dhe paraqitjen si rojtare të rendit ndërkombëtar të pasluftës.
“Kina po përpiqet ta përdorë paradën për ta promovuar versionin e vet të historisë dhe për ta përshtatur me llojin e botës që dëshiron të krijojë sot – ku ajo është fuqi udhëheqëse”, thotë Scott Kennedy, ekspert i njohur për Kinën dhe këshilltar i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Uashington, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.
Qendror në këtë narrativ kinez rreth Luftës së Dytë Botërore – të cilën vendi e shënon të përfunduar me kapitullimin e Japonisë në vitin 1945 – është forcimi i pretendimeve të Pekinit për sovranitet mbi Tajvanin, ishullin vetëqeverisës me status ndërkombëtar të ndërlikuar, të lidhur me traktatet e pasluftës, dhe me luftën civile që solli fitoren e komunistëve kinezë mbi nacionalistët, të cilët u tërhoqën nëTajvan në 1949. Pekini është zotuar se do të bashkohet me ishullin dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës.
“Aspiratat ushtarake të Kinës janë kryesisht rajonale, me dominimin e Azi-Paqësorit dhe marrjen e Tajvanit në krye”, vlerëson Kennedy. “Kina po kërkon që të ketë një audiencë të liderëve botërorë në paradë për të legjitimuar këto objektiva të politikës së jashtme”.
“Për të pasur të ardhme, Rusia dhe Kina duhet të kenë një të shkuar”
Një partner kyç në këtë përpjekje për Pekinin është Putin, i cili tashmë ka sfiduar sistemin ndërkombëtar me pushtimin e Gjeorgjisë në 2008, aneksimin me forcë të Krimesë më 2014, dhe pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës më 2022.
Putin ndodhet në Kinë që nga 31 gushti, kur mbërriti për një tjetër shfaqje të orkestruar diplomatike – samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), i cili përfundoi këtë javë. Në samit, Pekini mblodhi gjithashtu një sërë liderësh kryesorë joperëndimorë për të mbështetur reinterpretimin e tij të rendit global, duke e vënë theksin te multilateralizmi në kontrast me politikën e jashtme më transaksionale që vjen nga Shtetet e Bashkuara.
Duke folur para liderëve botërorë në samitin në Kinën veriore, Xi bëri thirrje që vendet të promovojnë atë që ai e quajti perspektiva “e saktë” e Luftës së Dytë Botërore dhe të mbështesin multilateralizmin.
“Kina dhe Bashkimi Sovjetik ishin teatrot kryesorë të luftës në Azi dhe Evropë,” shkroi Xi në maj, para një vizite në Moskë, ku ndoqi Paradën e Fitores të Rusisë që shënon shpartallimin e Gjermanisë naziste.
“Dy vendet shërbyen si shtylla kryesore të rezistencës ndaj militarizmit japonez dhe nazizmit gjerman, duke dhënë kontribute vendimtare për fitoren e Luftës Botërore Antifashiste”, tha Xi.
Së bashku me Rusinë, Kina po përpiqet të zbehë kontributin amerikan – dhe ta paraqesë veten si forcën kryesore të rezistencës kundër Japonisë. Kina e daton “luftën e rezistencës kundër agresionit japonez” që nga viti 1931 – një dekadë përpara se SHBA-ja të hynte në konflikt.
“Është një riformulim i madh i historisë botërore për të pozicionuar Rusinë dhe Kinën si dy forcat kundër fashizmit”, tha Claus Soong, analist në institutin MERICS në Berlin, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë. “Për të pasur të ardhme, Rusia dhe Kina duhet të kenë një të shkuar”.
BE-ja qëndron larg paradës ushtarake të Xisë
Prania e Putinit në paradë, si dhe fokusi i saj kundër Japonisë – aleate kyç e Perëndimit – i ka shtyrë përfaqësitë evropiane në Pekin të ulin nivelin e pjesëmarrjes, teksa diplomatët e Bashkimit Evropian i thanë Radios Evropa e Lirë se asnjë zyrtar nuk do të marrë pjesë në paradë.
“Ne po bojkotojmë paradën sepse Rusia po merr pjesë, por jo aktivitetet përreth saj”, tha një diplomat i lartë i BE-së, i cili kërkoi anonimitet për të folur lirshëm me mediat.
Përveç komplikimeve rreth Japonisë dhe pranisë së Putinit, zyrtarët e BE-së kanë shprehur gjithashtu kritika mbi mbështetjen e Pekinit për luftën e Rusisë kundër Ukrainës, ku Kina e ka ndihmuar Moskën me rrjedhë të qëndrueshme mallrash me përdorim të dyfishtë ushtarak.
Asnjë lider perëndimor nuk do të jetë mes të ftuarve të huaj në paradë, me përjashtim të kryeministrit sllovak, Robert Fico. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, vendi i të cilit ka aplikuar për anëtarësim në BE, gjithashtu do të marrë pjesë.
“Është mirë që kjo po ndodh hapur, askush nuk mund të thotë se Kina është disi më afër nesh”, tha një tjetër diplomat i BE-së për Radion Evropa e Lirë.
“Është për të të ardhur keq që Serbia, një vend kandidat për BE, është atje, por kjo nuk është befasi. “Flasin për përafrim me BE-në, por në praktikë veprojnë ndryshe”, shtoi diplomati.
Cili është narrativi i Kinës rreth Tajvanit dhe Luftës së Dytë Botërore?
Në fjalimin e fundit për përvjetorin e Luftës së Dytë Botërore, më 2015, që gjithashtu u shënua me paradë, Xi nuk e përmendi Tajvanin, pasi asokohe marrëdhëniet midis Pekinit dhe Taipeit ishin më të mira.
Por, këtë vit pritet që Tajvani të jetë një shtyllë qendrore e fjalimit të Xisë. Që nga viti 2015, Pekini është bërë më agresiv ndaj Tajvanit, dhe propaganda e tij shpesh ka përshkruar presidentin tajvanez, Lai Ching-te, si një separatist të rrezikshëm.
Statusi i Tajvanit vazhdon të komplikojë narrativin që Xi përpiqet ta ndryshojë rreth Luftës së Dytë Botërore.
Ndërsa forcat komuniste luftuan kundër pushtimit të plotë të Japonisë ndaj Kinës, shumicën e luftës e zhvilluan trupat e qeverisë nacionaliste, të njohura si Republika e Kinës, të cilët më pas u tërhoqën në Tajvan, pas humbjes së luftës civile.
Qeveria e Republikës së Kinës – emri zyrtar që ende përdoret nga Tajvani – udhëhoqi negociatat pas luftës. Ishte, po ashtu, Republika e Kinës ajo që nënshkroi marrëveshjen e paqes si një nga kombet aleate, dhe që ishte ende në pushtet në vitin 1945, kur Tajvani iu dorëzua pas dekadash pushtimi japonez.
Partia Komuniste kineze, e drejtuar nga Republika Popullore e Kinës, nuk u themelua deri në vitin 1949, dhe nuk ka kontrolluar kurrë ishullin e Tajvanit.
Megjithatë, Pekini thotë se fitorja e Luftës së Dytë Botërore i takon të gjithë popullit kinez, përfshirë ata në Tajvan, dhe e interpreton marrëveshjen e paqes si një kthim të Tajvanit nën sundimin kinez.
Por, siç thotë Soong, parada dhe përpjekjet e Xisë për të ndryshuar narrativin e luftës synojnë kryesisht një audiencë të brendshme dhe vendet e Jugut Global.
“Partia Komuniste kineze po përpiqet të krijojë një lidhje të përbashkët”, tha ai. “Do ta shohim gjatë fjalimit të Xisë se si Kina po përpiqet ta ndryshojë historinë”. /REL