Një moment i pazakontë dhe mjaft i veçantë është regjistruar gjatë vizitës së Papa Leonit në Spanjë, teksa Ati i Shenjtë u pa në kabinën e pilotit gjatë një fluturimi nga Madridi drejt Barcelonës.
Pamjet, të cilat janë bërë virale në rrjetet sociale, tregojnë Papa Leon duke biseduar me ekuipazhin e avionit dhe duke përshëndetur pilotët e avionëve luftarakë të Forcave Ajrore Spanjolle që po shoqëronin fluturimin. Sipas mediave ndërkombëtare, Papa u ftua nga njëri prej kapitenëve të avionit për të vizituar kabinën në pjesën e dytë të udhëtimit.
Gjatë qëndrimit në kabinë, Ati i Shenjtë u shfaq i buzëqeshur dhe i interesuar për komunikimin me ekuipazhin, ndërsa momenti u prit me entuziazëm nga besimtarët dhe ndjekësit e tij.
Vizita e Papa Leos në Barcelonë kishte edhe një domethënie të fortë simbolike. Në fjalimin e tij në kryeqytetin katalanas, ai zgjodhi t’i drejtohej të pranishmëve fillimisht në gjuhën katalane, duke thënë “Estimats germans i germanes” (“Të dashur vëllezër dhe motra”).
Ky gjest u interpretua si një shenjë respekti dhe njohjeje ndaj identitetit kulturor të Katalonjës, një rajon ku gjuha katalane konsiderohet pjesë thelbësore e historisë dhe traditës lokale. Zgjedhja e Papës u mirëprit nga autoritetet dhe komunitetet vendase, veçanërisht duke pasur parasysh historinë e vështirë të gjuhës katalane, e cila u kufizua ndjeshëm gjatë periudhës së diktaturës së Frankos.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, turneu i Papa Leos në Spanjë do të vijojë edhe në ditët në vijim me takime, aktivitete publike dhe mesazhe kushtuar dialogut, paqes dhe bashkëjetesës mes komuniteteve.