Pas një informate të pranuar se personat e dyshuar M. B., R. Sh. dhe S. Sh. kishin bërë shitblerje të një kafshe (lopë) të ngordhur dhe të njëjtën e kanë bërë gati për treg, Njësiti i Hetimeve i SP Pejë fillimisht e ka marrë njërin nga të dyshuarit që pretendohej që kishte therur dhe kishte transportuar kafshën me targa vendore deri tek shtëpia e personit tjetër të dyshuar, të cilin nuk e ka hasur në shtëpi.
Njësitet policore kanë shkuar tek shtëpia e të dyshuarit dhe prapa shtëpisë është vërejtur se në dy objekte kishte mish të kafshëve të therura por në gjendje shumë të keqe pa mirëmbajtje dhe pa prejardhje.
Policia bën të ditur se në vendngjarje janë gjetur nëntë frigoriferë të mëdhenj të mbushur me mish të prishur të llojllojshëm, të gjithë pa mirëmbajtje dhe po ashtu në gjendje të rëndë sanitare dhe me kundërmim të rëndë, transmeton Indeksonline.
Në vendngjarje me kërkesë të Policisë dhe me urdhër të prokurorit të shtetit kanë dalë edhe inspektorët e veterinarisë, të cilët bazuar në gjendjen faktike kanë vendosur që e gjithë sasia e mishit të shkatërrohet.
Sasia e përgjithshme e mishit që është gjetur ishte 1089 kg.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj tre të dyshuarve është shqiptuar masa e ndalimit policor./Indeksonline/

Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve S.SH., R.SH., M.B., dhe J.B për shkak të veprave penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor”, nga neni 267, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzë, të pandehurit S.SH., R.SH., M.B., dhe J.B., me datë 16 janar të këtij vitit, duke vepruar në bashkëveprim, kanë vënë në qarkullim artikuj të dëmshëm ushqimor për shëndetin e njerëzve, për çka të pandehurit ishin në dijeni, në atë mënyrë pasi që i pandehuri M.B., nuk kishte sukses dy herë për shërimin e lopës, i njëjtit me ndihmën e të pandehurit J.B., e thërret në telefon të pandehurin S.Sh., të cilit i ofron shitjen e lopës se sëmurë në shumën prej 400 eurove, e ku me pas të pandehurit S.Sh. dhe R.Sh., shkojnë me veturë në stallën e të pandehurit M.B., e pas arritjes se marrëveshjes, i pandehuri S.Sh. e blen lopën e sëmurë dhe të njëjtën me pas e prenë, ndërsa me veturën e të pandehurit R.Sh. e dërgojnë mishin në punëtorinë e të pandehurit S.Sh., derisa inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë pas konstatimit të gjendjen faktike të mishtit të sëmurë, urdhërojnë konfiskimin dhe asgjësimin e tij, në sasi prej 1.089 (njëmijetetëdhjetenëntë) kilogram mish, i cili mish ishte i destinuar për konsumim publik.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë.



