Analisti politik, Adrian Çollaku, tha se deputeti Behgjet Pacolli bëri dramë më shumë se që duhet për ardhjen e tij me aeroplan privat.
Ai tha se e gjitha kjo u bë për t’ia rritur pazarin vetes në tentimin për formimin e qeverisë së re.
“Mendoj që puna e Behgjet Pacollit është rritur më shumë se që është dashur sepse edhe nëse i kalkulojmë votat, pa atë të Pacollit dhe njërit prej minoriteteve, koalicion do t’i ketë 62 vota. Mjaftueshëm sa për t’u formuar një qeveri. Në këtë rast mendoj që Pacolli, që jo gjithçka varet prej tij, dëshiron që t’ia rrisë pazarin vetes siç ka ndodhur në qeveritë e kaluara. E kemi pasë një shembull më parë se si me dy vota e kanë bllokuar formimin e qeverisë për tre muaj”.
“Ne ende nuk e kemi parë marrëveshjen sepse ende s’është marrë vesh me partnerët e koalicionit. Nëse Hoti e ka marrëveshjen, pse s’po e bën publike dhe pse nuk po e thërrasin seancën?
“Nëse Pacolli do të dëshironte ta mbështeste qeverinë, mund ta bënte edhe pa marrë pjesë sepse ishin 62 vota. Mendoj që ai dëshiron që të jetë pjesë e pushtetit dhe të marr një copë aq sa mundet sepse nëse ai s’është në qeveri nuk do të jetë më as pjesë e Kuvendit”.
Çollaku tha se nga katër deputetë të LDK-së që nuk ishin pro kësaj qeveri, dy prej tyre janë kthyer.
“Nga 4 vota që ishin kundër, sot dy janë pro. Kundër që ka dalë edhe publikisht është Vjosa Osmani dhe Haxhi Avdyli që insiston se nuk do ta votojë. Kësisoj i bie që janë 64 vota me Pacolli dhe nëse s’voton ai janë 62. E shoh problematike dramën që bëri ai”.
Ai po ashtu tha se këto parti që po tentojnë të formojnë koalicionin me LDK-në do të dëmtohen shumë nëse shkojnë në zgjedhje, prandaj po përpiqen për qeveri të re.
Ndërsa, për emrat e lakuar për ministra në rast të formimit të Qeverisë Hoti, Çollaku tha se janë të linjës së Isa Mustafës.