Çështja e mos-pagesës së ndërrimeve të natës, orëve shtesë dhe punës në fundjavë është bërë problematike edhe për punonjësit e shëndetësisë.
IndeksOnline ka raportuar gjatë ditës se një gjë e tillë ka dekurajuar edhe punëtorët e policisë, zjarrfikësit dhe gardianët.
Në një prononcim për IndeksOnline, kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Tevide Imeri, ka thënë se gjatë marsit do të mblidhet Këshilli Drejtues që do të shqyrtojë të gjitha këto shqetësime.
Sipas saj, shumica e ankesave të paraqitura nga punonjësit shëndetësor janë duke u trajtuar në Gjykatë, e në Inspektorat të Punës.
“Për vonesat për kujdestari që kanë ndodhur javëve të fundit, përgjigjen ma ka dhënë administrata e SHSKUK-së që, zakonisht, në muajin dhjetor, janar dhe shkurt, zakonisht i marrin në mars. Normalisht që secili punëtor, dëshiron të paguhet për punën që e bën. Ndoshta që po na ndodhin shpesh vonesa, edhe punëtorët po shqetësohen shumë shpejt. Në situata të tilla jemi gjendur shumë herë. Megjithatë, jemi tu përgatitë takime të përbashkëta dhe do të shohim se si po ndodhë reflektimi” deklaroi Imeri.
Ajo pohoi se me federatat tjera, si atë të policisë dhe të zjarrfikësve, kanë raporte të mira dhe, falë memorandumit të bashkëpunimit, nuk përjashtohet mundësia e ndërmarrjes së veprimeve të përbashkëta.
LEXO EDHE:
“Është një problem për shkak të ligjit të buxhetit. E gjithë çështja është te Parlamenti, që s’ka arritur me kohë m’e planifiku dhe miratu buxhetin. Prandaj edhe po ndodhin këto vonesa” shtoi Imeri.
Sipas Imerit, të gjitha sindikatat, si ato shëndetësore, ashtu edhe ato policore dhe të zjarrfikësve, janë të privuara nga të njëjtat gjëra, përfshirë pagesat, rrezikshmërinë dhe sigurimin e shëndetit.
Ajo thotë një problem i tillë është diskutuar dje me punëtorët e disa prej klinikave të QKUK-së.
“Ne kemi bërë kërkesa të rregullta në drejtori. Zyra për financa po mundohet me e arsyetu punën e këtyre që është me ndërrime. Jemi në procedurë e sipër me e pa nëse vërtet nuk janë duke u paguar konform ligjit, sepse akoma nuk i kemi mbledhur pagat e përgjithshme dhe do të shohim nëse edhe me këtë lëndë do të procedojmë në gjykatë. Infermierët kanë shqetësime për shkak të kujdestarive të natës” deklaroi Imeri.
Kryetarja e FSSHK-së thotë se disa lëndë janë fituar në gjykatë dhe të tjerat po pritet të procedohen. Një gjë e tillë, sipas Imerit, nuk është faj i punëtorëve, që kërkojnë të drejtat themelore.
Ajo thotë se mungesa e dialogut social me Ministrinë e Shëndetësisë po e thellon shqetësimin e punonjësve të shëndetësisë, një shqetësim ky i paraqitur edhe në SHSKUK.
IndeksOnline ka raportuar gjatë ditës se një gjë e tillë ka dekurajuar edhe punëtorët e policisë, zjarrfikësit dhe gardianët./IndeksOnline/