OVL UÇK ka reaguar me shqetësim të thellë për vendimin që rrit dyfish kostot e komunikimit telefonik për ish-bashkëluftëtarët që ndodhen në Hagë.
Organizata thekson se t’u shtrenjtosh zërin njerëzve që jetojnë larg familjeve të tyre nuk është luks, por një nevojë thelbësore për të ruajtur lidhjen me fëmijët, prindërit dhe bashkëshortët, raporton lajmi.net
Sipas OVL UÇK-së, kjo masë nuk është vetëm një barrë financiare, por edhe një goditje morale dhe çnjerëzore ndaj ish-bashkëluftëtarëve dhe familjeve të tyre.
Organizata shpreh indinjatën e saj për mohimin e së drejtës elementare të të qëndruarit pranë familjeve deri në një vendim përfundimtar dhe premton të vazhdojë të ngrejë zërin për mbrojtjen e tyre.
Postimi i plotë:
T’u shtrenjtosh zërin njerëzve që jetojnë me mallin për familjen është padrejtësi që dhemb thellë.
Çdo telefonatë për ta nuk është luks, por frymëmarrje shpirtërore, një lidhje e vetme me fëmijët, prindërit e bashkëshortet që i presin me zemër të thyer.
T’ua vështirësosh edhe këtë është të rëndosh mbi plagën e tyre dhe të familjeve të tyre, duke ua bërë edhe më të rëndë barrën e ndarjes.
Kjo nuk është vetëm një barrë financiare, por një goditje e drejtpërdrejtë ndaj lidhjes njerëzore dhe familjare, në një kohë kur ata kanë më së shumti nevojë për përkrahje morale. T’u kufizosh kontaktin me më të dashurit e tyre është çnjerëzore dhe e papranueshme.
OVL UÇK shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për trajtimin e padrejtë që po u bëhet ish-bashkëluftëtarëve tanë në Hagë. Përveç mohimit të vazhdueshëm të së drejtës elementare për të qëndruar pranë familjeve të tyre deri në një vendim përfundimtar, tani po përballemi edhe me një tjetër padrejtësi, rritjen e dyfishtë të kostos së komunikimit telefonik.
OVL UÇK do të vazhdojë të ngrejë zërin për secilin bashkëluftëtar, sepse ata nuk janë vetëm, as sot, as kurrë./Lajmi.net/