back to top
Saturday, August 2, 2025
BallinaLajmeLajmet e FunditOsmani për takimin me zyrtarin e lartë amerikan: Prania ushtarake amerikane në...

Osmani për takimin me zyrtarin e lartë amerikan: Prania ushtarake amerikane në Kosovë u shërben drejtpërdrejt interesave strategjike të SHBA-së

Të ngjajshme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, z. David A. Baker, me të cilin ka diskutuar zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe industrisë së mbrojtjes.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi se Kosova po ndërton një forcë moderne të sigurisë sipas standardeve të NATO-s, duke e cilësuar partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si thelbësor për paqen dhe stabilitetin në rajon, transmeton lajmi.net

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO është jo vetëm një synim strategjik i shtetit tonë, por një domosdoshmëri për arkitekturën e sigurisë në rajon”, u shpreh Presidentja Osmani, duke theksuar se vendi është i gatshëm të përmbushë objektivat për shpenzimet në mbrojtje në kohë rekord, me mbështetjen jetike të SHBA-së.

Presidentja potencoi gjithashtu se prania ushtarake amerikane në Kosovë i shërben drejtpërdrejt interesave strategjike të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, ndërsa e cilësoi bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes si një mundësi të rëndësishme për investime të përbashkëta dhe zhvillim ekonomik për të dyja vendet.

Në takim u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e prodhimit ushtarak, ku Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka potencial të konsiderueshëm, veçanërisht nëse mbështetet nga SHBA-të dhe kompani amerikane të interesuara për investime në këtë sektor.

Në përmbyllje, Presidentja ritheksoi se partneriteti strategjik me SHBA-në mbetet shtylla kryesore për garantimin e stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Komunikata e plotë:

Presidentja Osmani në takim me Zv. Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, z. David A. Baker: Kosova është partnere e besueshme dhe kontribuuese për sigurinë rajonale dhe interesat strategjike të SHBA-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, z. David A. Baker, me të cilin diskutoi për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe industrisë së mbrojtjes.

Presidentja Osmani theksoi se Kosova po ndërton një forcë moderne të sigurisë sipas standardeve të NATO-s dhe se partneriteti me SHBA-në është thelbësor për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Në këtë kuadër, Presidentja Osmani nënvizoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO është jo vetëm synim strategjik i shtetit, por një domosdoshmëri për arkitekturën e sigurisë në rajon. Ajo theksoi se Kosova është gati të kontribuojë si aleate e besueshme dhe ta përmbush objektivin për shpenzime në mbrojtje në kohë rekord, duke shtuar se mbështetja e SHBA-ve,  në këtë synim për anëtarësim është jetike.

Ajo potencoi se prania ushtarake amerikane në Kosovë u shërben drejtpërdrejt interesave strategjike të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe se bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes paraqet një mundësi të re për investime të përbashkëta, në dobi të të dyja vendeve.

Më tej, është diskutuar edhe bashkëpunimi në fushën e industrisë ushtarake. Presidentja Osmani ka shtruar nevojën e thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë, duke theksuar se Kosova ka potencial në fushën e prodhimit ushtarak me mbështetjen e SHBA-së dhe kompanive të ndryshme amerikane që mund të jenë të interesuara në këtë drejtim.

Presidentja Osmani potencoi se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtylla kryesore për të garantuar stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor./lajmi.net/

- Advertisement -

Të Fundit