Analisti Ilir Deda ka komentuar deklaratën e presidentes Vjosa Osmani për plane për grusht-shtet që e bëri gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë sot në zyre të saj.
Duke marrë shkas nga ndalimi i kameramanit të mediumit Paparaci, Jetmir Muji që incizoi mbrojtjen e afërt të fëmijëve të presidentes në afërsi të një shkolle private, Osmani tha se në disa hetime, që tha se po bëhen, ka gazetarë që janë “bashkëpunëtorë” të Milan Radoiçiqit.
Në këtë kontekst, Osmani përmendi “plane për grusht-shtet”.
Deda thotë se për të ndodhur një grusht-shtet duhet të përfshihet edhe ushtria, prandaj ai pyet se nëse ka pasë një plan të tillë atëherë a ka qenë e përfshirë FSK-ja dhe nëse plani ka ekzistuar, a ka pjesëtarë të FSK-së të arrestuar.
“Grushtetin zakonisht e bën ushtria. A ka qenë FSK pjesë e “planit për grushtshtet”? Nëse ka qenë, atëherë a janë arrestu pjesëtarët e FSK-së për pjesëmarrje në plan të grushtshtetit? Nëse nuk ka qenë, atëherë nuk ka pasë plane për grushtshtet. Kur kyçet direkt edhe Presidentja në përhapje të lajmeve të rreme për “armiq të brendshëm” dhe i shndërron në shënjestër “gazetarët me mizë pas veshi” – Kosova fillon e duket si Rusia e Bjellorusia. Në vendet perëndimore nuk ka as hapësirë e as kulturë politike që lejon kësi lloj budallallëqesh. Dobët, shumë dobët”, ka shkruar Deda.
Duke arsyetuar deklaratën e saj të djeshme ku tha për disa “gazetarë të ashtuquajtur” se “do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren”, duke përmendur si burim për këto informata institucionet e sigurisë, Osmani tha se nuk janë hetuar gazetarët për “Radoiçiqat”.
“E para nuk janë hetuar gazetarët. Është hetuar tjetërkush. Janë hetuar Radoiçiqiat. Kur hetohen Radoiçiqiat, dalin bashkëpunëtorët e tyre. Dhe natyrisht që institucionet tona të sigurisë e kanë detyrë shtetërore, morale, ligjore, që të hetojnë deri në fund çdo bashkëpunim që ka rrezikuar Kosovën, përfshirë plane për grusht-shtet, përfshirë rrezikime të ndryshme që i janë bërë dhe i bëhen Kosovës… Pastaj kanë dalë shumë prova. Institucionet e sigurisë janë ende duke i vazhduar hetimet… E dinë ata kush janë, e kanë mizën mas veshi”, tha Osmani./Express/