Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Oda Ekonomike e Britanisë në Kosovë, Lidhja e Bizneseve të Kosovës dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit e Kosovës kanë shprehë shqetësim për situatën e krijuar pas aktvendimit të nxjerrë nga Shkalla e Dytë e Gjykatës Komerciale.
Odat kanë kërkuar nga ZRrE që të rishqyrtojë liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, dhe njëkohësisht të mos aplikojë ndërprerjen e furnizimit me energji të bizneseve, siç ka paralajmëruar se do të nisë nga data 16 gusht.
“Ndërprerja e furnizimit me energji do të sjellë pasoja të jashtëzakonshme, duke filluar nga ulja e numrit të të punësuarve, rritja e çmimeve, rritja e importit dhe rënia e eksportit.Ne jemi tashmë të informuar se disa biznese kanë ndërprerë punën, ndërsa të tjerat janë në proces të mbylljes së reparteve”, thuhet në reagim.
Ndërkohë, kanë thënë se shumë biznese janë duke pësuar dëme për shkak të kontratave me partnerët ndërkombëtarë, të cilat janë nën kosto të prodhimit për shkak të rritjes së çmimit të energjisë.
“Shoqatat e bizneseve po vazhdojnë konsultimet me bizneset për hapat e mëtejmë. E ritheksojmë edhe një herë se askush nuk është kundër liberalizimit të energjisë, por kundër formës së zgjedhur nga ZRRE, ku mbi të gjitha ka munguar informimi i mirëfilltë për këtë proces shumë të rëndësishëm. Gjithashtu, çmimet e ofruara nga kompanitë e licencuara për furnizim me energji janë shumëfish më të..larta se te rajonit”, thuhet mes tjerash në reagim./Indeksonline/