“Nuk e lëshojmë timonin”, Rama: Misioni ynë mbaron me vendosjen e flamurit të Skënderbeut në BE
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se Partia Socialiste nuk do të largohet nga qeverisja për shkak të protestave, duke theksuar se mandati i saj buron nga vota e qytetarëve dhe shumica parlamentare.
Duke iu përgjigjur pyetjes se përse kërkon të vazhdojë të qeverisë edhe pas 13 vitesh në pushtet, Rama tha se në demokraci askush nuk e trashëgon apo e dorëzon pushtetin sipas dëshirës, por vetëm sipas vullnetit të popullit.
“Një parti politike as e trashëgon timonin e pushtetit, as ka të drejtë ta lëshojë rrugës, sepse disa të tjerë duan ta ngasin vetë makinën e pushtetit. PS ushtron pushtetin për aq kohë sa populli ia ka dhënë dhe për aq kohë sa ka votat në Kuvend”, u shpreh ai.
Ai theksoi se as vetë nuk ka të drejtë të vendosë se kush duhet të jetë në qeveri apo në opozitë, pasi këtë e përcaktojnë vetëm qytetarët me votë.
Rama komentoi edhe thirrjet për dorëheqjen e tij, duke thënë se nuk mund të largohet nga detyra vetëm sepse “një pakicë thërret në kor”.

Lexo edheItalia miraton ligjin për lirimin e mijëra të burgosurve me varësi nga droga dhe alkooli, shkak mbipopullimi i burgjeve
“‘Rama jepe dorëheqjen’, ajo këngë mua më pëlqen dhe më energjizon. Por të largohesh nga detyra pse një pakicë thërret në kor, është vetëm braktisje e një përgjegjësie të madhe”, deklaroi ai.
Në përfundim, kreu i qeverisë shqiptare tha se misioni i Partisë Socialiste do të vazhdojë deri në realizimin e objektivit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Misioni ynë do të vazhdojë deri në vendosjen e flamurit të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e Europës së bashkuar”, u shpreh Rama, raporton A2.














