Zgjedhjet presidenciale, që do të mbahen të martën më 8 nëntor në SHBA, po reflektojnë një garë edhe në shtetin më të ri të Ballkanit, në Kosovë.
Një popull që u la anash duke iu nënshtruar një okupimi gjenocidial, shqiptarët e Kosovës, e që gjetën mbështetjen për shpëtimin e tyre tek SHBA-të, atëherë kur president ishte Bill Clinton, tani po shfaqin simpatinë dhe po i drejtohen bashkëkombëseve të tyre të cilët jetojnë në shtetin amerikan që votën e tyre ta hedhin në kutitë e votimit për Hillary Clinton.
Mirënjohja për familjen Clinton në Kosovë është vulosur në emra njerëzish, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Në Kosovë një 15-vjeçar, që jeton në Isniq të Deçanit, mban emrin Klinton Osdautaj, ndërsa Hillari Alidema jeton në Pozhoran, fshat i komunës së Vitisë.
Por, vula e këtij mbiemri që personifikon lirinë dhe paqen për shqiptarët e Kosovës gjendet dhe në emërtim të rrugëve, të bizneseve…, ndërsa në hyrje të kryeqytetit kosovar busti i ish-presidentit Bill Clinton tregon se kosovarët do ta ruajnë përjetësisht mirënjohjen për këtë ish-president amerikan.
Madje, tek ky bust qytetarët të cilët jetojnë brenda dhe jashtë Kosovës bëjnë edhe foto.
Por, Clinton këtu nuk shihet vetëm si i përjetësuar në bust, ai llogaritet i gjallë nga ata që bëjnë foto dhe e hedhin atë menjëherë me krenari në rrjetet sociale.