Një aksident tragjik ka ndodhur pasditen e sotme në fabrikën “NewBalkan” në Suharekë, ku një punëtor ka humbur jetën gjatë orarit të punës.
Ngjarja është raportuar rreth orës 16:30, kur sipas Policisë së Kosovës, një person me inicialet M.D. është lënduar aksidentalisht, dyshohet nga goditja e një pjese metalike të një vinçi industrial brenda hapësirave të fabrikës.
I lënduari është transportuar me autoambulancë të QKMF-së së Suharekës në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit. Përkundër përpjekjeve të mjekëve, ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqiri Bytyqi, e ka konfirmuar për Lajmi.net se viktima ka ndërruar jetë si pasojë e aksidentit.
“Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje, është siguruar perimetri dhe njësitet përkatëse janë duke u marrë me rastin,” ka deklaruar Bytyqi./Lajmi.net/