Bernard Berisha është një nga lojtarët më në zë në kampionatin rus. Kosovari ishte protagonisti kryesor i ekipit të tij Akhmat Grozny në fitoren në transfertë me rezultatin 1-3 kundër Spartak Moskva-s. 26-vjeçari realizoi një gol të bukur dhe dhuroi një asist duke qenë lojtari i ndeshjes. Kalimi i tij nga Skënderbeu te Anzhi dhe më pas te ekipi aktual i Akhmat Grozny-t ka patur shumë vështirësi dhe paragjykime, pasi një kosovar nuk mund të ishte shumë i preferuar në Rusi. Berisha nuk është dorëzuar, por ja ka dalë duke hedhur poshtë të gjitha paragjykimet që kanë qenë të pranishme për të. Mediet ruse i kanë kushtuar një artikull të veçantë Berishës dhe ndryshimit të tij në Rusi. Nga krahu tjetër dhe trajneri i ekipit, Igor Yedyakhov, ka folur fjalë shumë të mira për shqiptarin.
“Berisha është tani në një formë shumë të mirë. Ai ka kapur formën e tij m ë të mirë, e shoh se po luan futboll”, – tha tekniku i Akhmat-it në lidhje me formën që po kalon lojtari.
Specialja e medieve ruse është më e bukur, pasi kanë marrë 8 pika të veçanta të cilat kanë ndikuar në zhvillimin e Berishës në Rusi dhe kalimin e tij nga Skënderbeut te Anzhi.

1 – Shkëlqimi i Berishës
Lokomotiva Moskva-s pati në grupet e Europa Leagues ekipin e Skënderbeut. Skuadra ruse fitoi lehtë me rezultatin 2-0 dhe 0-3, por në veçanti ra në sy numri 23 i Skënderbeut, Bernard Berisha. Ekipi rus donte që ta rrëmbente, në fund kishte patur diskutime, por nuk kishin gjetur gjuhën e përbashkët. Europa League u bë një kompeticion që vuri në pah cilësitë e Berishës.
2- Ndikimi i trajnerit Pavel Vrba
Tekniku Pavel Vrba i dha shumë besim Berishës te skuadra e Anzhit. Statistikat më të mira, kosovari i ka nën drejtimin e tij. Ai ka luajtur 19 ndeshje me trajnerin çek dhe ka arritur të shënojë 4 gola dhe 2 asiste. Bashkëpunimi nuk zgjati shumë.
3- Zeniti, viktima e preferuar
Në momentin që Berisha erdhi në Rusi, pati një ekip të preferuar. Zenit-i u bë shënjestra e mesfushorit me tipare sulmuese, pasi i shënoi në kampionat dhe në kupë. Në ndeshjet kundër tyre, kosovari u bë gjithmonë protagonist.
4 – U shit 10 herë më shtrenjtë se u ble
Anzhi humbi në aspektin futbollistik me shitjen e Berishës, por fitoi në aspektin ekonomik. Ai u shit 2.5 milionë euro nga Anzhi te Akhmat Grozny. Klubi tjetër rus nuk u pendua aspak për afrimin e tij, madje në listën e blerjeve më të shtrenjta në historinë e rusve, Berisha mban vendin e 6-të.
5 – 3 Berisha te Përfaqësuesja e Kosovës
Në ekipin kombëtar nuk ka vetëm 1 Berishë, por 3. Valon dhe Besart Berisha janë futbollistët e tjerë që nuk kanë asnjë lidhje me Benardin, pasi i pari u lind në Suedi dhe luajti për Norvegjinë, ndërsa i dyti nuk ka asnjë lidhje gjaku me mesfushorin. Të 3 janë të rëndësishëm për Kosovën. (Rusët nuk e dinë se Besarti nuk grumbullohet më).

6 – Heq dorë nga agresiviteti
Berisha njihet si një lojtar agresiv, pasi ka dalë me karton të kuq dy herë te Skënderbeu dhe te Anzhi. Te ekipi i Akhmat-it asnjëherë, pasi ka marrë paralajmërime. Stili i tij i lojës e bën që të zëvendësohet në fund të takimeve, pasi konsumon shumë energji.
7 – Futet në top 5 dribluesit e kampionatit
Berisha shumë shpejt bën për vete publikun rus, pasi stili i tij i lojës dhuron spektakël. Driblimet e tij ngazëllenin publikun, por shpejt ndryshoi stil loje dhe nga egoist u vu në shërbim të ekipit. Ai ndodhet në vendin e tretë për sa i përket driblimeve për ndeshje. Më shumë se ai ka Manuel Fernandes dhe Alexander Golovin me një mesatare prej 1.8 driblimesh për ndeshje, ndërsa Berisha ka një rezultat prej 1.7 dhe ndan vendin e tretë me Alexei Miranchuk dhe Vitinho.
8 – Një vit pa shënuar
Kosovari kishte thuajse një vit pa shënuar gol dhe po priste Lokomotivën. Hera e fundit që kishte shënuar ishte më 8 prill 2017.
9 – Miqësia me një venezuelas
Bashkësorja e karakterizon Berishën si një djal miqësor dhe të hapur, por gjuha mbetet ende problem në komunikim. Në shqip, ai mund të flasë vetëm me Balajn dhe Roshin, por në fakt ka më shumë miqësi me mbrojtësin nga Venezuela, Angel. Ata jetojnë dhe në një zonë të përafërt dhe flasin në anglisht.
10 – Raketa e Akhmat-it
Pseudonimi i Berishës është “raketa”. Në fakt, një epitet të tillë e ka dhe Mohammadi. Të dy janë të shpejtë dhe mund të ndryshojnë lojën në çdo moment. /EDS