back to top
Sunday, February 22, 2026
BallinaLajmeNjë i vrarë dhe dhjetëra të plagosur në një “akt terrorist” në...

Një i vrarë dhe dhjetëra të plagosur në një “akt terrorist” në Lviv të Ukrainës

Të ngjajshme

Ferizaji trondit liderin, Ballkani humb kreun

KF Ferizaj ka regjistruar një fitore shumë të rëndësishme...

Safete Mustafa mahnitë me paraqitjen e fundit, po duket si 20-vjeçare

Këngëtarja Safete Mustafa po vjen me një projekt të...

Një oficere policie u vra dhe dhjetëra njerëz të tjerë u plagosën pas dy shpërthimeve në qytetin e madh perëndimor të Ukrainës, Lviv, të cilat autoritetet i përshkruan si “akt terrorist”.

Në orët e hershme të mëngjesit të 22 shkurtit, policia kombëtare e Ukrainës njoftoi se pak pas mesnatës ishte bërë një thirrje emergjente për hyrje me forcë në një dyqan lokal.

Sipas njoftimit, pasi një njësit patrullimi mbërriti në vendngjarje, ndodhi një shpërthim, i cili u pasua nga një tjetër shpërthim kur në vend arriti një njësit i dytë.

“Është vërtetuar paraprakisht se kanë shpërthyer mjete të improvizuara shpërthyese”, tha policia në Telegram.

Policia bëri të ditur se nga shpërthimet humbi jetën oficerja e patrullës 23-vjeçare, Viktoriya Shpylka, e cila kishte nisur punën në rajon në vitin 2023 dhe ishte martuar me një tjetër oficer patrulle në vjeshtën e vitit 2025.

Të paktën 25 njerëz të tjerë u plagosën nga incidenti. Në një intervistë televizive, ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, tha se tre persona ndodhen në gjendje “kritike”.

Olha Pidcerkovna, mjeke e urgjencës në spitalin lokal, i tha Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se këta tre persona janë vendosur në aparate të frymëmarrjes së asistuar.

Pasojat e shpërthimeve në Lviv më 22 shkurt.
Pasojat e shpërthimeve në Lviv më 22 shkurt.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e quajti ngjarjen “sulm terrorist” dhe tha se policia ka ndaluar një të dyshuar. Ai nuk dha hollësi të mëtejshme.

Klymenko shtoi se po vazhdojnë “masat operative dhe veprimet hetimore”: “Autoritetet po identifikojnë persona të tjerë të përfshirë në kryerjen e këtij krimi”.

“Oficerët e policisë u përgjigjen thirrjeve çdo ditë dhe natë, pa e ditur kurrë se çfarë i pret. Por, ata nxitojnë të ndihmojnë, sepse mbrojtja e njerëzve është detyra e tyre kryesore”, shkroi ai në Telegram.

Rusia e sulmon Ukrainën me 50 raketa

Ndërkohë, ushtria ruse lëshoi 50 raketa dhe 297 dronë në sulme gjatë natës kundër Ukrainës, njoftoi forca ajrore e vendit më 22 shkurt.

Zelensky tha se shtatë rajone u goditën, duke shtuar se sulmet në rajonin e Kievit vranë një person dhe plagosën tetë të tjerë, përfshirë një fëmijë.

Sipas ekipeve të shpëtimit, të plagosurit u nxorën nga rrënojat pas sulmit, ndërsa një burrë vdiq nga plagët gjatë rrugës për në spital.

“Synimi kryesor i sulmit ishte sektori energjetik. Janë dëmtuar edhe ndërtesa të zakonshme banimi dhe ka dëme në hekurudhë”, shkroi Zelensky në platformën X.

Zjarrfikësit në vendin e një ndërtese banimi të dëmtuar gjatë sulmeve ruse në Kiev më 22 shkurt.
Zjarrfikësit në vendin e një ndërtese banimi të dëmtuar gjatë sulmeve ruse në Kiev më 22 shkurt.

Operatori i rrjetit energjetik të Ukrainës, Ukrenergo, raportoi se sulmet ruse kanë shkaktuar sërish ndërprerje emergjente të energjisë në disa rajone, përfshirë kryeqytetin.

Mes temperaturave jashtëzakonisht të ulëta të dimrit, Rusia ka goditur vazhdimisht objektet e energjisë dhe të ngrohjes në Kiev dhe në mbarë vendin, duke ua vështirësuar miliona ukrainas përpjekjet për të pasur ngrohje dhe për ta vazhduar jetën e përditshme.

Sulmet ndodhën disa ditë pasi rundi i fundit i bisedimeve të paqes, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Gjenevë, përfundoi pa ndonjë përparim për t’i dhënë fund pushtimit rus, i cili më 24 shkurt do të shënojë katërvjetorin.

Ndërsa një rund i ri bisedimesh mund të zhvillohet sërish në të ardhmen e afërt, Zelensky tha se me sulmet masive ndaj Ukrainës, Moska vazhdon “të investojë më shumë në goditje sesa në diplomaci”./Radio Evropa e Lirë

Të Fundit

Sport

ShowBiz