Një rast vjedhjeje është evidentuar sot në Jezerc të Ferizajt.
Viktimës R.H., iu vodh portofoli që aksidentalisht i ra në tokë pranë një pishine në Jezerc, teksa po zbriste nga kamioni i kompanisë për të cilën punon.
Ai deklaroi për IndeksOnline se në portofolin e tij, që e mori një grua e dyshimtë, kishte kartela bankare, mbi 1 mijë euro para dhe gjësende të tjera personale.
Viktima pohoi se kartelat bankare i ka bllokuar, teksa rastin e ka lajmëruar edhe në stacionin policor të Ferizajt.
“Nuk e di nëse e ka marrë portofolin me e dorëzu në polici apo për vete, por zonja nuk është askund. Kamerat e sigurisë e kanë kapur zonjën në fjalë kur del nga vetura me targa të jashtit dhe shkon e merr portofolin sikur ta dinte se do ta gjejë aty. Unë e kam raportuar rastin në polici dhe deri më tani askush nuk e kishte lajmëruar portofolin e vjedhur. Kam gjësende me rëndësi në të”, deklaroi viktima.
Rastin për IndeksOnline e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
“Sot rreth orës 12:00 policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar një informatë se në fshatin Jezercë, në një pishinë, një qytetar ka raportuar se i mungonte portofoli me një shumë të caktuar të parave.
Hetuesit e stacionit kanë filluar hetimet, kanë siguruar edhe video-incizime dhe janë duke punuar në identifikimin e një automjetit të dyshimtë, me targa të huaja.
Për veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit dhe është iniciuar një shënim zyrtar “Shpërdorim i pasurisë së huaj”” deklaroi Veseli.
Deri më tani, e dyshuara nuk është raportuar të ketë dorëzuar portofolin në stacion policor, njëjtë sikurse nuk është identifikuar as lokacioni i veturës me të cilën ajo po udhëtonte./IndeksOnline/