Publicisto dhe profesori universitar, Milazim Krasniqi, 19 vite më parë kishte botuar një artikull në gazetën Bota Sot. Drenicapress për lexuesit e saj e riboton edhe një herë këtë shkrim.
NJË AUSHVIC I RI NË QIREZ TË DRENICËS
Në fshatin Qirez të Drenicës dje u hap toka mëmë e Kosovës dhe mori në gjirin e vet viktimat e gjenocidit serb kundër kombit shqiptar. Në Qirez u hap një varr i përbashkët, një varr që do të shenjojë për jetë të jetëve përmasat e barbarisë serbe. Në varrezën e përbashkët në Qirez prej ditës së djeshme prehen:
katër vëllezërit, Beqir Sejdiu, Bekim Sejdiu, Bedri Sejdiu e Nazmi Sejdiu, bashkëshortët Xhemshir Nebiu e Rukije Nebiu, Muhamet Islam Gjeli (70) dhe djali tij Naser Gjeli (37), Rexhep Ajet Rexhepi, Ahmet Ahmeti (1948), Gani Ahmeti (1952), Elmi Ahmeti (1954), Hamëz Ahmeti (1954), Driton Ahmeti (1975), Naim Ahmeti (1976), Lumni Ahmeti (1978), Shemsi Ahmeti (1979), Basri Ahmeti (1979), Elhami Ahmeti (1982), Behram Fazliu (1948), Shaban Muja (1967), Ismail Behrami dhe Ibish Rama.
(Dje në vendlindjen e tij u varros Bekim Beqir Deliu (16), i vrarë pardje nga të shtënat nga snajperi në Skënderaj.
Emrat e dy viktimave të tjera nuk janë njoftuar ende.)
Në varrezën e përbashkët në Qirez të Drenicës janë mbyllur jetët e njerëzve të pafajshëm. Faji i vetëm i tyre para eskadroneve të vdekjes, të yshtura nga urrejtja shtazarake dhe nga etja për gjak, është se ata ishin dhe mbetën shqiptarë. Ishin dhe mbetën të papërkulur në vatrat e tyre, në tokën e tyre. Faji i vetëm i tyre dhe i të gjithë shqiptarëve të Kosovës ishte dhe është se nuk e pranojnë robërinë, nuk duan të gjunjëzohen as para kërcënimeve, as para dhunës, as para komploteve të llojllojshme ndërkombëtare kundër këtij kombi të martirizuar.
Ky nuk është faj, ky është fat.
Pas shtrëngimit të madh të kësaj dhembjeje në thellësitë e shpirtit, të secilit njeri shqiptar veç e veç dhe të shpirtit të kombit në tërësi, mbetet një detyrë, një amanet që na e kërkojnë shpirtrat e martirëve të varrezës së përbashkët të Qirezit. Mbetet që në atë varrezë të ngrihet një MEMORIAL, i cili të bëhet dëshmi e përjetshme e viktimave të rëna në Drenicë. Një memorial që do të shpalosë rezistencën dhe qëndresën heroike të njeriut shqiptar të kësaj toke. Një memorial që të bëjë me gisht drejt krimit kundër njerëzimit, të cilin e bëri shteti okupator i Serbisë.
Bota ka ngritur memoriale, të cilat shënojnë krimet e përbindshme që kanë bërë kundër njerëzimit shtetet agresore. Shqiptarët e Kosovës, edhe pse në mënyrë serike i janë ekspozuar gjenocidit serb, ende nuk kanë ngritur një memorial që do të ishte dëshmi e atij gjenocidi. Kur të mblidhen të gjitha viktimat që ka shkaktuar Serbia, është e sigurt se shifra e atyre viktimave del sa viktimat e Aushvicit.
Varreza e Qirezit duhet të jetë pika ku duhet të reagojë definitivisht ndërgjegjja jonë.
Qirezi tashmë është bërë një Aushvic i ri në zemër të Evropës. Ndoshta edhe me bekimin e saj.
4 mars 1998