NISMA – Dega në Drenas është ankuar në në Ministrinë e Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL) për përfaqësimin në Komitetin për Politikë dhe Financa me dy anëtarë!
Lexojeni të plotë komunikatën e kësaj partie:
Të nderuar qytetarë të Drenasit, të nderuar anëtarë dhe përkrahës të NISMA për Kosovën, ju njoftojmë se sot kemi ushtruar ankesë pranë MAPL për përfaqësimin në Komitetin për Politikë dhe Financa me dy anëtarë. Ankesa jonë në lidhje me seancën e datës 27.12.2017, konkretisht në lidhje me përzgjedhjen e anëtarëve të Komitetit për Politikë dhe Financa, ku mendojmë se me ketë rast është shkelur ligji nga Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Drenasit. Ne mendojmë se është shkelur Ligji NR. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale si dhe Udhëzimi Administrativ nr 03/2014 për procedurën e themelimit, përbërjen dhe kompetencat e komiteteve të përhershme ne Komunë, konkretisht nenin nr. 6 te këtij udhëzimi administrativ. Sepse në mbledhje u zgjodhën anëtarët e Komitetit për politikë dhe Financa ku nga 7 anëtarët sa janë gjithsejtë vetëm 1 anëtarë nga NISMA është zgjedhur.
Ne mendojmë që 4 anetarët e parë të zgjedhur janë konform Ligjit për vetëqeverisje lokale, përkatësisht neni 52, pika 1, e parasheh se: “Komiteti për politikë dhe financa kryesohet nga kryesuesi i kuvendit të komunës dhe përbërja e tij duhet të reflektojë përfaqësimin e entiteteve politike në kuvendin e komunës”, respektivisht Udhëzimit administrativ (MAPL) Nr. 03/2014, përkatësisht neni 6, pika 1 dhe 2 e cila e ka sqaruar më tej përfaqësimin e entiteteve politike në kuvendin e komunës, po citoj: “ Neni 6, pika1: Komiteti për politikë dhe financa përbëhet nga përfaqësuesit e subjekteve politike që përfaqësohen në kuvendin e komunës. Përbërja e tij duhet të reflektojë përfaqësimin e entiteteve politike të përfaqësuara në kuvendin e komunës”.; dhe Neni 6, pika 2: “Në rast se në përbërjen e kuvendit të komunës janë të përfaqësuara më shumë etnitete politike me çka e bëjnë të pamundur përfshirjen e të gjitha etniteteve në komitetin për politikë dhe financa atëherë përfaqësimi do të bëhet nga një renditje e subjekteve politike duke marr parasysh numrin më të madh të përfaqësuar në kuvendin e komunës.”, ndërsa nga numri rendor 5 deri në numrin rendor 7, këta anëtarë janë zgjedhur jashtëligjshëm, përkatësisht duke u shkelur Ligji për vetëqeverisje lokale dhe Udhëzim administrativ (MAPL) Nr. 03/2014 për procedurën e themelimit, përbërjen dhe kompetencat e komiteteve të përhershme në Komunë.
Siç shihet edhe nga tabela me lartë subjekti ynë politik përfaqësohet vetëm me një anëtarë gjë që është e papranueshme dhe pa drejtë për neve si subjekt politik sepse NISMA për Kosovën i ka 6 mandate në kuvend dhe padrejtësisht barazohet me ata të cilët e kanë vetëm nga një ulëse në kuvend ku ato subjekte kanë 7 apo 8 fish vota më pak se ne. Prandaj bazuar në ligjin dhe UA të lartcekur konsiderojmë se kjo është e papranueshme për ne dhe për ketë çështje ankohemi pran institucionit tuaj duke kërkuar nga ju si Institucioni me i lartë ekzekutiv në nivel vendi në raport me Komunat dhe monitorimin e tyre, ku kërkojmë nga ju që zyrtarisht ta trajtoni ketë rast duke ia bërë të qartë Kuvendit Komunal në Drenas si dhe Kryetarit të Komunës së Drenasit, se NISMA për Kosovën duhet të përfaqësohet sipas ligjeve dhe udhëzimit administrativ në fuqi me 2 anëtarë në Komitetin për Politik dhe Financa sipas raportit të forcave dhe mandateve të fituar në kuvend. Sepse është e padrejtë dhe e paligjshme që 4,179 votat e subjektit tonë të barazohen me 496 ose 665 ose 839 vota të subjekteve tjera të zgjedhur padrejtësisht në Komitetin për Politikë dhe Financa.
Mbesim me shpresë se kjo ankesë e jona do të trajtohet seriozisht nga ana e juaj dhe mendojmë se zbatimi i ligjit dhe drejtësisë në ketë rast është tejet i lehtë sepse fare qartë dallohen raporti i forcës së votave dhe ndarjes së ulëseve në Kuvendin Komunal të Drenasit.
Date: 09.01.2018, Drenas
Me nderime: Nexhmedin M. Bala – Shef i grupit Parlamentar të NISMA për Kosovën në KK Drenas

