Vera po vjen, e me të nis edhe ardhja e mërgimtarëve. Mirëpo, këtë vit ata i pret një befasi në Mitrovicë, pasi do të harxhojnë më shumë.
E me ardhjen e mërgimtarëve, siç shihet në fotografitë e siguruara nga Metro, shihet edhe rritja e çmimeve nëpër lokalet e Mitrovicës.
Para pak javësh çmimi i ushqimeve nëpër qebaptoret dhe lokalet tjera shënoi rritje. Një tost që në Mitrovicë blihej për 50 cent, tani blihet me 70 cent. Një pleskavicë që dikur blihej me 1 euro, tani ka shkuar në 1.20.

Ndërkaq, që nga sot rritje ka shënuar edhe kafeja. Sipas një fotografie të publikuar nga mediumi lokal ‘Jepi zë 02’, që nga sot kafetë do të paguhen më shtrenjtë. Ato që ishin 50, paguhen me 70 cent, ndërkaq ato që ishin me 70 apo 80 cent, paguhen me 1 euro.

Sipas qytetarëve të Mitrovicës, rritja e çmimit të ushqimit ka prekur të gjitha lokalet, ndërkaq ajo e kafesë sapo ka nisur në disa lokake. Një prej tyre e ka publikuar edhe njoftimin për rritje çmimi.
Sidoqoftë, ky ndryshim çmimesh po shihet ndryshe nga qytetarët. Disa po e arsyetojnë se janë rritur çmimet e produkteve, ndërkaq disa të tjera po e kritikojnë, pasi sipas tyre po rritet qëllimisht për t’i ‘plaçkitur’ mërgimtarët.
Ndryshe, edhe rritja e çmimit të ushqimeve edhe e kafeve po konsiston me ardhjen e mërgimtarëve në Kosovë, pasi ato u rriten vetëm javëve të fundit, ndërkohë që deri tash çmimet kanë qenë të ulëta./gazetametro.net