Serbët që nuk kanë dokumente të Republikës së Kosovës, por jetojnë në Kosovë, nga sot do të mund të aplikojnë për të marrë dokumente kosovare në bazë të dokumenteve serbe si letërnjoftimi, certifikatat e lindjes, martesës dhe vdekjes.
Kryetarët serbë të komunave, së bashku me ekipet e tyre në komunat me shumicë serbe, do të përpiqen që ky proces të zhvillohet pa probleme dhe që deri më 16 qershor të gjithë qytetarët të realizojnë të drejtën e tyre
Nga Lista Serbe më herët kanë sqaruar se personat që punojnë në institucionet shëndetësore dhe arsimore të të gjitha niveleve, por që nuk jetojnë në Kosovë, do t’i dorëzojnë të dhënat përmes institucioneve të tyre dhe në këtë mënyrë do të fitojnë të drejtën e qëndrimit për 12 muaj, me të drejtë vazhdimi.
E njëjta gjë vlen edhe për studentët që nuk jetojnë në Kosovë, por studiojnë në universitetin serb të ashtuquajtur “Universitet i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Kosovës”.
Ambasadori në largim i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, në një intervistë lamtumire për një grup mediash në gjuhën serbe, më herët kishte vlerësuar se 14 marsi mund të hyjë në histori si një datë e rëndësishme në marrëdhëniet ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe BE-së, por kishte paralajmëruar se sfida kryesore mbetet zbatimi i marrëveshjes.